Adele ishte protagonistja absolute e ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy”. 28-vjeçarja rrëmbeu plot 5 trofe, ndër të cilët edhe dy më të rëndësishmit: për këngën e albumin më të mirë.

U vlerësua gjithashtu për regjistrimin, për perfomancën dhe albumin më të mirë “vocal pop”. Pasi magjepsi në fillim të mbrëmjes me një version të fuqishëm të “Hello”, këngë e albumit fitues “25”, më vonë u detyrua të kërkojë falje. Një herë gjatë perfomancës në homazh të George Michael, kur ngatërroi një pasazh të këngës “Fast Love”, dhe më pas teksa ngjitej e zbriste në skenë për të tërhequr njëri pas tjetrit 5 gramafonë të artë.

Advertisement

Pa i përmbajtur lotët, artistja britanike i bëri elozhe rivales Beyonce, duke thënë se çmimin e albumit më të mirë e meritonte ajo.

“Ndihem vërtet e nderuar dhe ju përulem për këtë çmim. Artistja e jetës sime është Beyonce dhe albumi i saj “Lemonade” ishte vërtet monumental,  i bukur e shpirtëror. Të gjithë ne që jemi këtu të adhurojmë”, tha Adele.

Është mallëngjyer gjithashtu ylli afroamerikan i muzikës pop Beyonce, e cila, pavarësisht 9 kandidaturave, e mbylli mbrëmjen vetëm me dy çmime: albumi më i mirë urban kontemporan dhe videoklipi më i mirë (Formation). Artistja, e cila është shtatzënë me binjakë, u shfaq me një performancë ambicioze dhe komplekse me këngët e saj “Love Drought” dhe “Sandcastles”, me tematikën e rilindjes, rigjenerimit dhe shërimit.

E veshur me një fustan e kurorë të artë si një mbretëreshë e Egjiptit të lashtë, ajo ia dedikoi performancën mëmësisë.

Në edicionin e 69 të Grammy Awards, që u mbajt në “Staples Center” të Los Angeles ishin të pranishëm artistët më të mirë amerikanë, përfshirë Lady Gaga, e cila këndoi një duet me Metallica, Alicia Keys apo Katy Perry.

Gjatë mbrëmjes nuk munguan as sulmet për politikat e presidentit Donald Trump.