“Mulan” gati për premierë, por pse kanë nisur thirrjet për bojkot

Filmi “Mulan” është gati për premierën në mbarë botën, por thirrjet për bojkot janë bërë më të forta se kurrë.

Thirrjet për të bojkotuar prodhimin më të ri “Mulan” janë përhapur kryesisht në kontinentin aziatik, kryesisht Tailandë dhe Tajvan. Gjithsesi, filmi pritet të jetë një hit në Kinë, atje ku premiera është vendosur për më 9 shtator.

Advertisement

E gjitha nisi kur protagonistja e filmit, Liu Yifei, deklaroi mbështetjen për zbatimin e ligjit, pasi policia kineze u akuzua për dhunë ndaj protestuesve pro-demokracisë në vitin 2019 në Hong Kong.

“Unë mbështes policinë në Hong Kong. Tani, mund të më sulmoni të gjithë. Çfarë turpi për Hong Kongun,” shkroi ajo në Weibo, një rrjet social kinez. Komentet e saj në 2019-n dolën sërish në sipërfaqe pas publikimit të “Mulan”.

Producenti i Mulan dhe ekzekutivi i Disney, Jason T. Reed, së fundmi komentoi polemikat rreth filmit.

“Epo, mendoj së pari, se është një situatë shumë e komplikuar për njerëzit që jetojnë dhe punojnë në Kinë. Natyrisht, tensionet midis dy entiteteve janë shumë të komplikuara. Unë nuk jam i kualifikuar për t’i diskutuar ato. Unë jam këtu për të përfaqësuar filmin.”, tha ai për Yahoo Finance.

Burimi:Opinion.al