Me ardhjen e pranverës, tashmë që edhe dita me natën u barazuan dhe e para fillon rrugëtimin e saj për t’i marrë sa më shumë kohë errësirës, ka ardhur koha edhe për të ndryshuar orën.
Momenti zyrtar i ndërrimit të orës është pikërisht në 02:00, atëherë kur akrepat kalojnë 60 minuta para duke shënuar 03:00. Ora verore do të zgjasë deri më 30 tetor, që do të jetë e diela e fundit e tetorit.
Ndryshimi i orës, i cili realizohet çdo pranverë, konsiston për shtatë muaj në kursimin e sasive të mëdha të energjisë, konkretisht e barabartë me 643.000.000 kilowatt/orë, e përkthyer në aspektin ekonomik, me kuotën e 93 milionë eurove.
Rregulli i ndryshimit të orës është vendosur që në shekullin e tetëmbëdhjetë, ku i pari ka qenë Benjamin Franklin i cili hodhi teorinë se me realizimin e tij, do të kursehej shumë energji.
Ndërsa një shekull më vonë (në vitin 1907), teoria e tij u mor nga britaniku Uillett Uilliam, i cili e paraqiti atë në Dhomën e Komuneve e cila i dha dritën e gjelbër projektit “British Summer Time”, i cili përfshinte lëvizjen e akrepave të orës përpara gjatë verës.
Shumë vende e pasuan Britaninë e madhe në këtë hap, veçanërisht në kohë lufte, kur ruajtja e energjisë ishte me të vërtetë një prioritet. Ndërsa miratimi përfundimtar i kësaj mase për të gjitha vendet, konsiston në vitin 1966, i cili përkoi me krizën e energjisë.
Si mund ta përballojmë ndryshimin e orës? Sigurisht duke tentuar të vetëpërgatitemi një apo dy ditë përpara, në mënyrë që organizmi ynë ta ndiejë sa më pak lodhjen me të cilën do të përballet. Duke u përpjekur të shkojmë në shtrat disi më shpejt sesa zakonisht, kjo mund të ndihmojë shumë orën tonë biologjike, e mund të përballemi me më pak probleme zgjimi. Në përgjithësi, edhe në këtë rast stili i jetesës bën diferencën. Përqëndrohuni tek aktivitetet fizike dhe ushqimi i shëndetshëm, mbi të gjitha në mbrëmje është mirë të konsumoni një darkë më të lehtë.
Një këshillë e fundit, njerëzit tradicionalë do të duhet të vazhdojnë të ndryshojnë akrepat e orëve të tyre të murit, ndërsa ata që janë më modernë, të epokës “high tech”, nuk do të kenë nevojë të kujdesen për orarin e telefonave të tyre “smartphone”, pasi ora ndryshon automatikisht bazuar mbi GPS-in.