Monika Kryemadhi ka festuar ditëlindjen orët e para të mëngjesit me të rinjtë e LSI-së dhe miq e dashamirës, në një nga lokalet e kryeqyetit.
Nuk munguan urimet dhe dedikimet në rrjete sociale, por pjesa më kulminante e festës për ne që nuk ishim të pranishëm ishte padyshim torta: një çizme e zezë.
Bashkë me tortën anëtarët e LRI-së kanë bërë edhe një poezi për Kryemadhin:
“Disa me çizme shtypin,
Disa me çizme motivojnë,
Disa shkelin të pamundurin,
Disa të tjerë shpresë përçojnë.
E keqja çizmen e dhunës përdor,
Por çizmja e revoltës të keqen e mund,
Është zemra e Monës që na motivon,
Me dashuri dhe besim, një uragan pafund!
GUXO, LUFTO, FITO MONA”, shkruhej në një pjesë tjetër të tortës
Ndërsa festa është ndezur edhe më shumë teksa Kryemadhi kërcen vallen e Kukësit.
Nëse e keni harruar lidhjen e Monikës me çizmen, na lejoni t’ju rikujtojmë momentin kur kryetarja e LSI-se hodhi çizmen e saj drejt Edi Ramës, e revoltuar gjatë një seance plenare. Kjo çizme është kthyer tani në simbol të guximit dhe luftës ndaj padrejtësisë.