Mijëra qytetarë francezë kanë marshuar ditën e sotme në shenjë proteste kundër propozimit të presidentit Emmanuel Macron për të bërë vaksinimin kundër COVID-19 të detyrueshëm për të gjithë punonjësit e sektorit shëndetësor, si edhe kusht për të lejuar hyrjen në kafetë, restorantet dhe kinematë në vend.
Macron i ka bërë këto propozime këtë javë në reagim të shtimit të numrit të të infektuarve me qëllim parandalimin e një vale të re infektimesh në vjeshtë. Por, një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik francez e ka konsideruar këtë vendim një shkelje të së drejtës së njeriut për të vendosur vetë mbi shëndetin dhe trupin.
Në disa vende protestat u intensifikuan duke bërë që Policia disa herë të përdorë gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat protestuese.
“Çdokush është sovran mbi trupin e tij. Nuk mund të ndodhë që presidenti i Republikës të ketë të drejtën të diktojë shëndetin tim individual”– ka thënë një protestuese në Paris, e quajtur Christelle e intervistuar nga “Associated Press”.
Protesta të ngjashme u zhvilluan në të gjitha qytetet e mëdha të Francës, si në Marsejë, Lilë dhe Lyon, por edhe në lokalitete më të vogla.
Në përgjigje të protestave, gjatë një vizite në Francën jugperëndimore kryeministri francez Jean Castex ka thënë se ndonëse vaksina nuk është e detyrueshme për të gjithë publikun është e vetmja mënyrë për të luftuar virusin.
“Po vërej hezitimin që është ngritur, por mendoj se duhet të përdorim të gjitha mënyrat për t’u përballur me këtë krizë sanitare dhe e vetmja rrugë është që bashkëqytetarët tanë të vaksinohen. Varianti delta është këtu, ne nuk duhet ta fshehim të vërtetën, është më ngjitës se variantet e kaluara. Ne duhet të përshtatemi dhe të përballemi me të.”– ka thënë Castex.
Sipas sondazheve të opinionit publik më shumë se 60% e popullsisë franceze është dakord që vaksinat të bëhen të detyrueshme për punonjësit e sektorit shëndetësor, por edhe për të frekuentuar ambjente publike.
Aktualisht Franca ka mesatarisht 11 mijë infektime të reja çdo ditë, një rritje e ndjeshme nga gati 2 mijë në fund të muajit të kaluar.