Michael Schumacher, publikohet letra e Corinna-s 3 vjet më parë

    Në një letër të hapur që mendohet se është shkruar 3 vite më parë, por që është bërë publike sot, Corinna Schumacher, bashkëshortja e 7 herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher, shpreh të gjithë mirënjohjen e dashurinë për pilotin gjerman. Një letër që publikohet për fansat 5 vjet nga aksidenti me ski që pësoi legjenda e Formula 1, duke thyer kështu një heshtje të gjatë të bashkëshortes së Michael.

    Në fakt, kjo letër është një përgjigje nga ana e Corinna për muzikanten gjermane Sascha Herchenbach, e cila ka kompozuar një këngë në nder të Michael Schumacher, “Born to Fight” (I lindur për të luftuar). Një kopje të kësaj kënge, në CD, ajo ia ka dërguar edhe Corinna.

    “Michael është një luftëtar dhe nuk do të dorëzohet kurrë. Të falënderoj për dhuratën, dashurinë dhe afrimitetin në këto momente të vështira”, shkruan Corinna Schumacher në letrën e saj drejtuar kompozitores. Nuk dihet periudha e saktë se kur është shkruar kjo letër, por që është bërë publike vetëm sot nga vetë kompozitorja Herchenbach për revistën gjermane “Bunte”.

    Fakt është që kënga për Michael Schumacher është shkruar në dhjetor të 2014-ës, një vit pas aksidentit me ski. Për sa i përket pilotit gjerman ende asnjë lajm për gjendjen e tij shëndetësore, ndërkohë që prej 3 vitesh ai ndodhet pranë vilës së tij në Gjenevë të Zvicrës, i asistuar nga një staf prej 15 mjekësh.