Ngeci në Kenia para se të mbylleshin kufijtë. Read More…
“Personalisht mendoj që është një vendim i drejtë, pasi fokusi kryesor në këto momente është shëndeti i njerëzve në botë. Çfarë kuptimi do të kishin Lojërat Olimpike në këtë periudhë, kur i gjithë njerëzimi po lufton për shëndetin e tij? Kështu nis statusi në Instagram i atletes Luiza Gega rreth vendimit për shtyrjen e eventit sportiv më të rëndësishëm botëror, Lojërat Olimpike “ Tokyo 2020”.
Ajo e trajton këtë vendim si të duhurin. Po ku ndodhet ajo tani, a ka ndryshime me stërvitjen dhe me aplikimet për lojërat Olimpike Tokyo 2021 në të cilat ajo ishte e kualifikuar ? Pyetjeve tona I është përgjigjur vetë Luiza nga Kenia e largët.
Luiza ku ndodhesh për momentin dhe sa kohë ke aty ?
Përshëndetje Living, ndodhem në Kenya prej datës 16 mars, jam bllokuar këtu dhe duke parë që fluturimet janë të mbyllura nuk e kam idenë se kur mund të kthehem. Sigurisht bileta e kthimit është djegur dhe unë sipas planeve që kisha. duhet të isha kthyer në Shqipëri. Aktualisht po stërvitem sepse këtu ku jam nuk mund të bëj asgjë tjetër.
Si ka ndikuar pandemia në angazhimet e tua profesionale?
Ky është viti më i vështirë në karrierën time sportive, sepse po stërvitesha fort dhe çdo gjë po shkonte shumë mirë, unë kisha objektivat e mia dhe po punoja drejt tyre. Ndërsa tashmë çdo gjë ka stopuar dhe gjithë ajo lodhje ka shkuar dëm duke qenë se Lojërat Olimpike janë shtyrë për vitin tjetër, e njëjta vlen dhe për kampionatin evropian që do të zhvillohej po këtë vit, i cili gjithashtu është anuluar. Për momentin pra nuk ka asnjë aktivitet sportiv dhe nuk dihet se kur mund të fillojnë. Pjesa e vështirë është fokusi sepse mungon motivimi për shkak të situatës.
Kur erdhi lajmi që nuk do të zhvillohen Lojërat Olimpike ?
Nëse do të shohim gjithë historikun e Lojërave Olimpike ato kurrë nuk janë anuluar, ka ndodhur vetëm në Luftën e II botërore, pra ka qenë një cikël i pandërprerë, çdo katër vite. Në fillimet e pandemisë, edhe se ajo po përhapej me shpejtësi të madhe në botë, Komiteti i Lojërave Olimpike tha që nuk do të shtyhen. Mbas ardhjes time në Kenia, një javë më pas nëse nuk gaboj,erdhi lajmi i shtyrjes për vitin 2021, por ishte tepër vonë. Ishte tepër vonë për t’u kthyer në Shqipëri ose për të vendosur se çfarë do bëja, prandaj unë kam ngelur këtu.
Çfarë do të ndodhë me të gjitha organizimet të cilat janë të ndërlidhura me pjesëmarrjen në lojërat Olimpike?
Për momentin çdo aktivitet sportiv është anuluar dhe nuk ka asnjë njoftim nga Federate botërorë e atletikës ose dhe Federata evropiane. Në fakt nuk ka asnjë lajm edhe për aktivitet më të vogla si Diamond League, ndërkohë që Kampionati Evropian që është kompeticioni i dytë më i rëndësishëm pas Lojëra Olimpike është anuluar plotësisht. Ky ishte lajmi i dytë i hidhur për mua mbas atij të shtyrjes së Lojëra Olimpike. Çdo ditë stërvitem fort dhe çdo ditë mundohem të kapem te një objektiv i madh, që të më motivoje dhe të më largojë vëmendjen nga ngjarjet rreth meje.
Meqë Lojërat Olimpike janë shtyrë, çfarë ndodh me kualifikimet? Të gjitha rezultatet do kenë vlerë apo do përsëriten për shkak të formave fizike të atletëve?
Për sa i përket kualifikimit, unë e kam arritur normën olimpike dhe Komuniteti Olimpik Botëror, ka nxjerrë një deklaratë duke thënë që të gjithë sportistët që janë të kualifikuar nuk do të kenë nevojë të rikualifikohen. Prandaj kjo do të thotë që nuk kam nevojë të punoj për të arritur normat e Lojërave Olimpike. Ndërsa sportistët që nuk janë kualifikuar nuk mund ta bëjnë tani sepse dhe këto aktivitete janë pezulluar dhe do të rifillojnë në dhjetor dhe do të vazhdojnë deri në korrik. Për momentin unë nuk e kam këtë shqetësim sepse jam e kualifikuar.
Ka sportistë të tjera në Kenia që si ti kanë ngelur të bllokuar atje ?
Këtu në Kenia unë ndodhem në një fshat që quhet Iten ku ka sportistë nga e gjithë bota sepse është një vend shumë i përshtatshëm për stërvitje. Ky është viti i pestë që vi në Kenia dhe ka dy arsye se pse zgjedh pikërisht këtë vend. Arsyeja e parë është sepse largohem nga dimri i Shqipërisë i cili më pezullon stërvitjen për shkak të të ftohtit,ndërsa arsyeja tjetër është sepse duke qenë sportiste e distancave të mesme dhe të gjata, stërvitja mbi nivelin e detit është shumë e rëndësishme. Këtu në fshatin ku banoj jam mbi 2400 metra mbi nivelin e detit. Është vend i përshtatshëm që unë të bëj progres në rezultate e mia sepse ka mungesë oksigjeni dhe stërvitemi me vështirësi, por kur zbresim poshtë në nivel deti. Performanca është shumë më e mirë.
Cilat janë planet e tua për rikthim, a ke kontaktuar dikë?
Unë këtu në Kenia jam bashkë me trajnerin edhe në po bëjmë shumë përpjekje për t’u rikthyer, po flasim më të gjitha institucionet përkatëse apo që janë përgjegjëse. Për momentin kemi përgjigje negative, sepse ndodhemi në një kontinent shumë të largët dhe duhet të afrohemi diku në Evropë që të kemi mundësi kthimi në Shqipëri.
Si është situata Covid-19 në Kenia?
Situata në Kenya është mjaft e qetë. Në fakt në Kenia numri i të infektuarve nuk është i madh. Ka rreth 20 të infektuar në ditë, për nj popullsi shumë të madhe rreth 51 milion banorë. Pjesa më e vështirë që nga ardhja këtu ka qenë pjesa e mbylljes së jetës apo bizneseve. Janë mbyllur stadiumet, palestrat, duke mos na lënë as mundësi të kryejmë plotësisht stërvitjen dhe kjo është një tjetër vështirësi sepse stërvitjen duhet ta kryej në rrugë apo në vende të tjera që nuk janë të përshtatshme.
Si po e përjeton ti këtë situatë ? Bllokimin në Kenia, shtyrjen e Lojëra Olimpike e të gjitha vështirësitë që kjo sjell?
Kur vij në një vend si Kenya, vij për një objektiv të madh, për t’u përmirësuar, për t’u përfaqësuar sa më mirë në aktivitete të ndryshme. Ky ishte një vit me objektiva shumë të mëdha, edhe viti i kaluar ka qenë shumë i mirë për mua; kalova gjithashtu një fazë dimri (shkurt) shumë të mirë gjatë të cilës theva rekordin kombëtar dhe për këtë arsye isha shumë pozitive për vitin që do vinte. Ndërkohë që të gjitha këto ngjarje me kanë humbur fokusin dhe motivimin, prandaj mundohem të stërvitem çdo ditë, për të mos humbur formën fizike, por duke mos pasur aktivitete dhe duke mos ditur se kur do fillojnë, patjetër që shqetësohem. Mundohem të jem pozitive, mundohem të heq mendjen nga kjo situatë duke i thënë vetes që do mbarojë, që shumë shpejt do rikthehem në vendin tim, në familjen time dhe afër gjërave që unë dua më shumë.
NGA ZHAKLIN LEKATARI
Burimi: Revista Living