Gazetari Bledi Fevziu ishte i ftuar në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” të Arbana Osmanit.
Përveç surprizës së bukur që i bëri minatorit, gazetari mori edhe vetë një surprizë shumë të bukur në programin që erdhi në formën e një letre.
Ai tregoi edhe marrëdhënien e veçantë me vajzën dhe se ajo dëshironte që t’i merrte vetë vendimet dhe në këtë pjesë Blendi na rrëfeu se ata janë të ngjashëm. Blendi ishte detyruar që në moshë të re t’i merrte vetë vendimet për jetën e tij. Ashtu siç instikti e kishte ndihmuar atë të merrte vendimet, po i njëjti instikt, sipas Blendit, do të udhëhiqte dhe vajzën e tij.
Në fund, Blendi tha: “Nuk ka rëndësi se sa njeri i fuqishëm dhe me pushtet ke qenë, nuk ka rëndësi nëse ke qenë një njeri i famshëm me një karrierë të arrirë. Mund të kesh bërë gjithçka, por nëse nuk ke rrritur një fëmijë të mirë, dije se nuk ke bërë asgjë”.
Ja letra e plotë që përloti gazetarin:
Babi,
Unë nuk ta them ‘të dua shumë’ dhe zgjodha ta bëj në mënyrën më të bukur të mundshme, vendosa ta bëj publikisht pikërisht atëherë kur ti nuk e pret. Ti ke vendosur të surprizosh dikë, por me këtë rast, në një emision kushtuar familjes, mendova të të thosha se familja më e mirë në botë është e jona dhe kjo, falë teje.
Megjithëse jam pak e ngurtë dhe pak e ndrojtur, megjithëse nuk ta kam thënë me zë të lartë, megjithëse duket sikur jam krejt e ftohtë: dua të të them se të dua shumë, shumë, shumë. Është e vështirë ta masësh dashurinë, por mbase të dua më shumë se sa më do ti mua.
Mua nuk më pëlqen të prezantohem si vajza jote, po jo sepse kam turp prej teje. Përkundrazi, unë jam krenare për ty, jam krenare se të kam baba, jam krenare sa herë njerëzit flasin për ty, sa herë të referohen, sa herë të kanë shembull.
Por pikërisht për këtë, unë dua të rritem e të ec vetë, siç ke ecur ti vetë.
Nuk dua të më hapen rrugët se jam vajza e Fevziut, dua të të bëj krenar që je babai im. Nuk kam dashur kurrë të të zhgënjej ndaj matem mirë para çdo hapi që hedh, e nëse dukem sikur nuk e kam mendjen fare tek ti, dije, se thjesht po përpiqem të të ngjaj.
Të dua babi, Ti je idhulli im.