“Më në fund po kurorëzoj ëndrrën time për t’u bërë aktore, dikush ka besuar tek unë dhe kjo më bëri të fitoj sfidën”. Kështu u shpreh Lady Gaga, ylli i popit, e cila në edicionin e 75 të filmit në Venecia prezanton “A Star is Born”, të regjisorit dhe aktorit Bradley Cooper.
Në histori Lady Gaga interpreton të talentuarën Ally, “regjisori më dëshironte pa grim, nxora jashtë dobësitë, por u ndjeva e çliruar nga frika ime dhe në film do të shikoni një fytyrë të re që ai ka zbuluar”.
“A Star is Born”, xhirimi i katërt i “E’ nata una stella” i vitit 1937, shënon debutimin e regjisorit Bradley Cooper në një projekt që e shikon të përfshirë në 360 gradë: bashkë-shkrimtar, producent dhe interpretues krahas Lady Gaga në rolin e saj të parë si protagoniste në ekranin e madh. Një film që nuk është thjesht një histori dashurie, një musical, një rixhirim, por historia e një ëndrre, përpara dhe prapa kamerës.
Cooper interpreton muzikantin e suksesshëm Jackson Maine, i cili zbulon artisten Ally (Gaga) dhe bie në dashuri me të. Ally ka mbyllur kohët e fundit në një sirtar shpresën e saj për t’u bërë një këngëtare e suksesshme, por Jack e bind atë që të kthehet në qendër të vëmendjes.
Ndërsa karriera e saj fillon të nisë fluturimin, marrëdhënia e tyre bëhet e pamundur për demonët me të cilët po lufton Jack. Ally është roli i parë i madh si aktore për Lady Gaga, pas debutimit televiziv popullor të “American Horror Story”.
Por, mbi të gjitha është një rol në të cilin ajo ka hequr të gjitha maskat që kishte përdorur për tu paraqitur në publik.
“Sfida, – pranon ajo, – ishte që të përballesha me personazhin dhe të ishte i prekshëm, i zhveshur, pa grimca, unë kisha shumë frikë të përballesha me këtë rol”. Një sfidë e fituar ndoshta edhe sepse në karakterin e Ally, Gaga ka vendosur historinë e saj.
“Shumë herë në provime nuk isha më e bukura në dhomë, por po shkruaja muzikën time, kurrë nuk kam dashur të bëhem aq seksi sa gratë e tjera, kam dashur të kem vizionin tim, si Ally”.
Një sfidë edhe për Cooper, i cili jo vetëm që debuton si regjisor dhe ka punuar për filmin katër vjet, por gjithashtu këndon drejtpërdrejt këngë të shkruara me Lady Gaga dhe autorë të tjerë, si skenat e xhiruara duke shfrytëzuar ‘audiencën’ e vërtetë të festivalit të famshëm muzikor kalifornian Coachella. Për të parë se si kanë dalë fansat duhet të presin deri më 11 tetor, kur filmi të arrijë në kinematë italiane.