Kore Veriore | Zhvillohet testi i tretë bërthamor: “për t’u mbrojtur nga armiqësia e pamatur e SHBA”

Korea Veriore ka zhvilluar testin e tretë bërthamor pavarësisht paralajmërimeve të Kombeve të Bashkuara për të mos e kryer një gjë të tillë. Veprimi shkaktoi kritika nga aleati i saj më i madh, Kina, dhe u dënua na mbarë bota. Pas aktivitetit “artificial” sizmik të zbuluar nga Korea Jugore, Japonia dhe SHBA rreth orës 11:57, me orën koreane, regjimi konfirmoi se kishte lëshuar me sukses një paisje bërthamore në nëntokë. Agjencia e lajmeve e Koresë së Veriut tha se testi nëntokësor ka përdorur një pajisje bërthamore më të vogël dhe më të lehtë por me një fuqi shpërthyese më të madhe se më parë. “Një test i tretë bërthamor është kryer me sukses. Testi bërthamor është kryer si pjesë e masave për të mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin tonë kombëtar prej armiqësisë të pamatur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që shkeli të drejtën e Republikës tonë për lëshimin e një sateliti paqësor”, thotë Agjencia e Lajmeve KCNA. Presidenti Obama ka premtuar “vijimin e hapave të nevojshme për të mbrojtur vendin dhe aleatët.”, ndërsa tha se këto veprime “nuk e bëjnë më të sigurt Korenë Veriore.” Ndërkohë vëzhguesit thonë se tashmë Korea Veriore ndodhet një hap më pranë ndërtimit të një koke të vogël rakete e cila do të ishte e mjaftueshme për një raketë me rreze të gjatë. Në orën 14:00 GMT do të mbahet takimi urgjent i Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të diskutuar rreth testit. Korea Veriore ka zhvilluar më parë teste bërthamore në 2006 dhe 2009, ndërsa testi i tretë u njoftua para një muaji, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, të cilat u zgjeruan pas lëshimit të një rakete në dhjetor, lëvizje kjo e dënuar nga OKB si një provë e ndaluar e teknologjisë raketore.

Advertisement