Kledi Kadiu i përgjigjet 10 pyetjeve për koronavirusin për Revista Class

Pas Kinës, Italia është vendi i dytë në botë më i prekur nga koronavirusi! Në shtetin fqinj janë të shumtë shqiptarët e famshëm që punojnë dhe jetojnë prej vitesh aty, e që sigurisht situata me virusin e tmerrshëm i ka prekur jo pak!

Kledi Kadiu, një nga balerinët e suksesshëm në Itali dhe me goxha ndikim në botën artistike dhe publike atje, zgjodhi të bëjë sot herët në mëngjes një mesazh sensibilizues për të gjithë shqiptarët. Në këtë situatë të vështirë që po kalon e gjithë bota, e ku koronavirusi duket se nuk zgjedh për nga kombësia apo pasaporta, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është qëndrimi në shtëpi!

Advertisement

Ne të Class e kontaktuam vetë Kledin me dëshirën për të shkuar përtej video mesazhit, por për të marrë më shumë detaje nga situata aktuale në Itali, si po e përjeton familja e artistit gjithë këtë ngjarje, masat e marra dhe mesazhet e forta për veten dhe gjithë shqiptarët! Mos e humbisni!

1-Kledi, ti jeton në Rimini të Italisë. Si paraqitet situata atje me koronavirusin? Ka viktima, të prekur?

Po unë jetoj në Rimini! Gjendja nuk është e mirë. Ka viktima, rreth 8 persona dhe 200 e ca të infektuar.

2-Prej sa ditësh jeni “izoluar” në shtëpi, ti edhe familja jote?

Ne të izoluar në shtëpi jemi nga dita e premte, por prej dy javësh këtu nuk ka kopshte, shkolla, i kanë mbyllur të gjitha.

3-Ju dhatë një mesazh të fuqishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, përmes një videoje pak minuta më parë. Çfarë ju shtyu?

Arsyeja kryesore pse në Itali ky virus u përhap kaq shpejt ishte për faktin që të gjithë ne, përfshirë edhe veten time, vazhduam të jetonim sikur asgjë nuk po ndodhte…Prandaj, duke e përjetuar në shpinën tonë, gjithë Italia, e bëra këtë mesazh për të përcjellë rregullat që qeveria nxorri. Duke pasur edhe përgjegjësinë që kemi shumë persona që na ndjekin, na duan, për atë që kemi bërë për artin, ky ishte motivi. Vetëm po të izolohesh, ky infeksion do ta ketë jetën e shkurtër.

4-Pas Kinës, vendit të origjinës së këtij virusi të tmerrshëm, Italia listohet në vendin e dytë më të prekur nga koronavirusi. Ku gabuat ju Kledi, shteti italian, qytetarët?

Gabimin se gjen kush…Janë momente që askush nuk i ka përjetuar në të shkuarën, askush nuk ka asnjëlloj eksperience. I kemi parë vetëm nëpër filma këto që po jetojmë realisht. Ku është gabimi unë nuk e di, po ndoshta të tjerët mund të bëjnë të njëjtin gabim. Ndaj unë e mora këtë kurajën të bëj një video edhe për Shqipërinë. Sepse aty akoma nuk janë mësuar me mënyrën e panikut, sepse ky është një panik i veçantë, por përsa i përket ndërgjegjes së çdo qytetari. Po më preku mua ka problem, po s’më preku jam OK! Është puna që ky virus kalohet shumë lehtë, nga fëmijët tek gjyshërit e ky do jetë një tmerr i madh, e sidomos nëse personat që infektohen kanë edhe sëmundje të tjera.

5-Çfarë ndjenje të jep fakti që nuk sheh njerëz në rrugë, që nuk shkon dot në kurset e kërcimit me nxënësit e tu, është një kufizim drastik nga jeta jote e përditshme. A ka më dyqane të hapura në Itali? Kemi dëgjuar që është mbyllur gjithçka? Ti vetë ke bërë pazar për 2-3 javë?

Fakti që nuk shoh njerëz në rrugë, më bën të besoj që njerëzit e kanë kuptuar situatën dhe e kanë marrë seriozisht. Sa përgjegjësi është qëndrimi në shtëpi. Është kufizim drastik nga jeta jonë e përditshme, dyqane të hapura ka, edhe bare e restorante të hapura deri në orën 18.00. Por, shumica i kanë mbyllur, sepse nuk ka klientë. Po pritet nga minuti në minutë që të mbyllen të gjitha aktivitetet. Këtu ka zgjidhje alternative. Është të blerit online. Jo, nuk kemi bërë pazar për dy-tre javë.

6-Po i ndjek me interes lajmet për Shqipërinë. Deri tani numërohen 12 të prekur me koronavirus në vendin tonë. Ke njerëz që jetojnë këtu Kledi? Flet me ta në telefon?

Po, me shumë interes! Kam mamin dhe babin aty! Flas me prindërit, me motrën që e kam në Gjermani, edhe aty gjendja ka filluar të bëhet serioze, po mbyllen shkollat dhe azilët. Po kjo është një situatë që do i prek të gjithë, askush nuk shpëton nga kjo gjë. Nuk është se po bëhem dramatik, por eksperienca po tregon se ky virus nuk shikon nga pasaporta apo nga vendlindja.

7-Këshillat që do i jepje çdo shqiptari sot?

Mos u tregoni sipërfaqësorë, por respektoni të gjitha rregullat që ju japin! Është për të mirën tonë, për të ardhmen, sidomos. Shpresojmë që gjithçka të mbarojë shpejt.

8-Një mesazh sensibilizues për të gjithë ne?

Respektoni rregullat!

9-Mendon se e gjithë kjo do mbarojë një ditë? Gjëja e parë që do të bësh pasi Italia dhe bota të dalë nga “karantina” që e ka vendosur koronavirusi?

Do bëjmë një festë të gjithë bashkë! Kam shumë kolegë e shumë shokë, duke filluar nga Bernard Shehu, që jeton 20 minuta larg nga Rimini, është një koleg dhe një bashkëatdhetar, është Ilir Shaqiri, Anbeta Toromani, Doriani, Hektori, Rezarti, jemi një grup shokësh të mirë që e kalojmë bashkë. Tani që rrimë në shtëpi, teknologjia na sjell shumë të mira, televizori, një libër, ushtrime.

10-Bashkëshortja, vajza jote e vogël si po e përjetojnë situatën? Si ja ke shpjeguar gjithë këtë gjendje Leas së vogël?

Goca është shumë mirë, por nuk e kupton akoma! Ja kemi shpjeguar sepse nga pyet vazhdimisht pse nuk po shkoj në kopësht, por i kemi thënë që po e pastrojnë kopshtin! Po mirë ky kopshti, sa ditë do që të pastrohet? Kur të kthehem unë do të shkëlqejë nga pastërtia!

Faleminderit për intervistën! Shpresoj ta kalojmë sa më shpejt! Le të jemi pacientë, të gjithë!