Kanye West dhe Julia Fox kanë kaluar zyrtarisht në tapetin e kuq së bashku si çift.
Ata morën pjesë në sfilatën e modës Kenzo Vjeshtë/Dimër 2022/2023 si pjesë e Javës së Modës në Paris gjatë fundjavës.
Të dy të veshur nga koka te këmbët me xhins dhe me doreza të zeza, ia arritën qëllimit të tërheqin vëmendjen e të gjithëve.
Shumë fansa në rrjetet sociale i krahasuan veshjet e tyre matchy-matchy me ato të Britney Spears dhe Justin Timberlake në American Music Awards në vitin 2001 kur ishin në lidhje. Ndërsa ne na u kujtua David dhe Victoria Beckham dikur, të cilët zgjidhnin shpesh të kombinoheshin njësoj.
Por duket se çifti i ri nuk është mjaftuar vetëm me këtë kombinim.
Edhe në shfaqjen e modës së markës Schiaparelli, Kanye dhe Julia u paraqitën me veshje të zeza lëkure nga koka te këmbët.
Fox zgjodhi një tjetër xhaketë nga shtëpia e modës, me pjesën e bustit të theksuar dhe me një zinxhir të përparmë. Të dy mbanin doreza të zeza dhe çizme të gjata, ndërsa Kanye e kishte mbuluar fytyrën me një maskë po në ngjyrë të zezë.
Me pak fjalë, përgatituni të shihni më shumë kombinime matchy-matchy nga çifti i famshëm që duket se do të jenë “Victoria dhe David” të rinj!