“Kam shkruar disa nga hitet më të mëdha në botë”/ Bebe Rexha bën deklaratën e papritur: Njerëzit ende nuk më njohin!

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, këto ditë ka shënuar një tjetër arritje të madhe në karrierën e saj.

Pas suksesit që shënoi bashkëpunimi i saj “I’m good (Blue)” me David Guetta-n, kënga në fjalë arriti që të nominohet në ceremoninë më të madhe të ndarjes së çmimeve, “Grammy Awards 2023”.

Advertisement

Artistja ka qenë shpesh e diskriminuar nga çmimet e muzikës, edhe pse tri këngë të saj kanë mbi një miliard dëgjime. Si rrjedhojë, ajo ka folur në një intervistë të fundit për EliteDaily për një video që kishte shpërndarë në TikTok, e cila shfaqte një vajzë që tregonte se Rexha është një nga emrat më të suksesshëm të muzikës, por që nuk njihet sa duhet.

“Dua të them, është e çuditshme. Unë kam qenë në internet gjatë gjithë kohës. Dikur kisha një zemër prej çeliku. Pra, pashë atë video të vajzës që fliste për njerëz të famshëm që nuk janë vërtet të famshëm. E kuptoj plotësisht atë që ajo thotë sepse ka të drejtë, por ta mendosh unë kam tri këngë që janë me nga një miliard dëgjime secila. Unë kam shkruar disa nga hitet më të mëdha në botë dhe megjithatë njerëzit ende nuk e dinë se kush jam. Unë jam në rregull me këtë. Për të qenë e sinqertë, më pëlqen të shkoj në dyqanin ushqimor dhe të blejë biletat e llotos, të bëj pazar për qenin tim, më pëlqen edhe të mos vendos make-up. Më pëlqen të vesh të njëjtën veshje çdo ditë në studio”.

Ndërkaq, tri këngët e bukuroshes që kanë mbi një miliard dëgjime në Spotify janë: “Meant to be”, “In the name of love” dhe “Me, myself and I”.