Ekzaminimi i dhëmbëve të Adolf Hitlerit ka rrëzuar përfundimisht çdo teori konspiracioni mbi fundin e udhëheqësit nazist.
Verifikimet me metodat më moderne tregojnë se ai u vetëvra vërtet 30 prillin e vitit 1945, e nuk e inskenoi vdekjen e tij për t’u larguar më pas – siç thonë disa, – drejt vendeve të tjera si Argjentina, ku pretendohet të ketë jetuar i qetë për vite me radhë.
Një ekipi patologësh francezë iu lejua të inspektonte pak kohë më parë dhëmbët e Fyhrerit të ruajtura në Moskë, të cilat u morën në fillim të majit 1945 nga Berlini.
Kjo është hera e parë në 70 vite, që autoritetet ruse lejuan dikë që të ekzaminojë ato që kanë mbetur nga Hitleri. Konkluzionet e shkencëtarëve, të publikuara në “European Journal of Internal Medicine”, janë të qarta.
“Dhëmbët janë autentikë, nuk ka asnjë dyshim”, i tha kryepatologu Philippe Charlier, agjencisë së lajmeve “AFP”. “Studimi ynë dëshmon që Hitleri vdiq përpara mbi 7 dekadash”.
Pjesë e ekzaminimeve, sipas “Deutsche Welle”-s, ka qenë edhe kafka e udhëheqësit nacionalsocialist për të konfirmuar se me ç’mjete e kreu ai vetëvrasjen.
Dhëmbët përputhen me përshkrimet e dentistit të Hitlerit dhe nuk tregojnë asnjë gjurmë mishi, gjë që justifikohet me faktin se ai ishte vegjeterian.
“Ne mund t’u japim fund të gjitha teorive të komplotit për Hitlerin”, tha Charlier. “Ai nuk është arratisur me një nëndetëse në Argjentinë. Ai nuk ndodhet në një bazë të fshehur në Antarktidë ose në anën e errët të Hënës”.
Në vend të kësaj, historia e Hitlerit mori fund në mënyrën që e beson çdo historian serioz: me një vetëvrasje të përbashkët në bunkerin e Fyhrerit, në gërmadhat e kryeqytetit nazist.