Ylli i arteve marciale, aktori i famshëm Jackie Chan rezulton se është edhe një këngëtar i zoti.

Ai ishte së fundmi në Tajvan për të promovuar albumin e tijtë fundit solo “I Am Me-Jackie Chan”, prodhimi i të cilit ka kërkuar 4 vite kohë.

“Ky album përmban këngë që praktikisht, janë rrëfime të jetës sime. Janë këngë për njerëzit që kam dashur, për ata që janë larguar dhe që s’do ti shoh më kurrë, këngë të kushtuara tim biri e ndonjë gabimi të tij, këngë që i tregojnë atij se nuk duhet të dorëzohet. Unë i këndoj gjithashtu edhe gruas sime, babait e nënës, fansave të mi, miqve, paqes dhe dashurisë universale”, – tha Jackie Chan.

Aktori i lindur në Hong-Kong nuk bëri asnjë koment mbi situatën e fundit në këtë territor, që ka përjetuar ditët e fundit protestat më masive e të dhunshme prej dekadash, të nxitura nga ligji i shumëdiskutuar i ekstradimeve në Kinë.

Chan në fakt është kritikuar për një kohë të gjatë në Hong-Kong lidhur me pikëpamjet e veta pro-Pekinit, të cilat nuk ka ngurruar t’i shprehë edhe publikisht.

/ATA/