Regjisorja Inis Gjoni do të ketë një përballje të re me Prokurorinë për Krimet e Rënda në Gjykatën e Lartë për videon intime të saj me Arjan Selimin, që u bë publike disa vite më parë. Pas një beteje ligjore të gjatë, regjisorja ndeshet për të dytën herë në Gjykatën e Lartë kundër Prokurorisë, ndaj së cilës kërkon 200 mijë dollarë dëmshpërblim për publikimin e videos intime në vitin 2004, shkruan Panorama.
Publikimi i videos ndodhi kur telefoni i tij ishte i sekuestruar si provë materiale nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda për llogari të hetimit të dosjes “Kompas”. Në video, Gjoni shfaqej me partnerin e saj të ndjerë, Arjan Selimi, i cili u vra në vitin 2011. Materiali filmik me përmbajtje erotike i regjistruar nga Selimi në një ambient privat, u përhap përmes teknologjisë dixhitale ndër përdoruesit e aparateve celularë përmes “Bluetooth”, “Infrared” dhe e­mail.

Në më shumë se një dekadë përballjesh gjyqësore për këtë çështje, kërkesa e regjisores Gjoni për dëmshpërblim ka mbërritur së fundmi në Gjykatën e Lartë si një rekurs ndaj një vendimi të Gjykatës së Apelit Tiranë. Kjo e fundit, në korrik të vitit 2015, rrëzoi pretendimet e regjisores. Me këtë vendim nuk ka qenë dakord regjisorja Gjoni, e cila kërkon prishjen e vendimit të Apelit dhe pranimin e padisë së saj. Rekursi i saj në Gjykatën e Lartë është regjistruar më 22 maj 2017, ku palë paditëse është Inis Gjoni, palë e paditur Prokuroria për Krimet e Rënda dhe palë e tretë Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Financave, Dega e Thesarit. “Shpërblim i dëmit, nga ana e palës së paditur për shkak të shpërndarjes dhe publikimit të informacioneve që cenojnë jetën private të paditëses dhe njëkohësisht fyejnë nderin dhe dinjitetin e saj në shumën 200.000 USD”, thuhej në objektin e padisë. Shorti i hedhur në këtë gjykatë ka përcaktuar gjyqtarin Medi Bici si relator i Kolegjit Penal të kësaj çështjeje. Burime zyrtare pranë Gjykatës pohuan se ende nuk është përcaktuar një datë për nisjen e këtij shqyrtimi gjyqësor.

Advertisement