Emisioni Opinion i Blendi Fevziut, ka publikuar një kronikë që tregon tragjedinë e një familje, ku 6 motra nga fshati Surrej i Kukësit, kanë mbetur në mëshirë të fatit.
Kjo ngjarje ka prekur Deputetin e Partisë Demokratike, Agron Shehaj, i cili është shprehur se rrogën e deputetit, për aq kohë sa do të jetë i tillë në Kuvendin e Shqipërisë, do t’ua dhurojë gjashtë vajzave jetime.
“Jam i detyruar dhe e bëj me kënaqësi që rrogën që e marr si deputet t’ua dhuroj këtyre vajzave për aq kohë sa unë të jem deputet”, – tha Shehaj .
Opinion transmetoi në hyrje të emisionit rastin e tyre tragjik dhe u bëri thirrje gjithë institucioneve të vendit në radhë të parë, bizneseve dhe qytetarëve që t’i ndihmojnë këto gjashtë jetime që janë pa shtëpi, pa ndihmë dhe në pamundësi për të vijuar studimet e tyre. Rasti i tyre do të transmetohet në një emision të veçantë të martën tjetër dhe ku të gjithë personat që dëshirojnë të kontribuojnë, mund t’i bashkohen nismës.
Ja si është historia e tyre e trishtë:
Në fshatin Surrej, rreth 1 orë larg qytetit të Kukësit, jetojnë për momentin 6 motra që kanë mbetur jetime.
Fati i mori babain 6 vite me pare, dhe nënën përpara 3 muajsh. Që nga ajo ditë, këto vajza jetime humbën kujdesin dhe dashurinë prindërore, shtëpinë, të drejtën për t’u shkolluar dhe mundësinë për të jetuar një jete normale.
Besarta është 15 vjeç dhe njëkohësisht motra e madhe. Ajo është ende e traumatizuar nga humbja e te dy prindërve dhe shtëpisë.
Motrat me te vogla, Doruntina dhe Dashamirja janë 7 vjeç. Ato sapo kishin filluar klasën e pare, por u detyruan ta lënë përgjysmë 3 muaj me parë për shkak të fatkeqësisë që i ndodhi.
Ajo që kërkojnë këto vajza është e thjeshtë: një vend që të mund ta quajnë “shtëpi” nga ku askush nuk mund t’i përzerë, një shkolle që ta frekuentojnë pa e ndërprerë, ushqim dhe dashuri nga çdokush që mund të dhurojë.