“Le të jemi mëkatarë!” Saiko i dëgjoi këto fjalë teksa grilat prej druri filluan të përplasen nga era, dhe përtej tyre mund të shihje nga deti larg vendkalimin e anijeve, ku një barkë peshkatarësh digjej si një zjarr feste. Deri në ato momente ajo nuk kishte menduar asnjëherë për zjarrin dhe prej kohësh ai i digjte thellë në kraharor. Kur ai mbylli grillat ajo ndjeu një akth. I hapi përsëri ato, por barka duhet të ishte bërë shkrumb e hi, sepse nuk dukej as drita më e vogël. Dukej vetëm sipërfaqja e gjerë dhe e qetë, si vaj i detit të errët. Deri atë mbrëmje ajo ishte përpjekur të shkëputej prej tij.
Por teksa pa djegien e barkës së peshkimit hoqi dorë nga kjo luftë, dhe e la veten në duart e fatit. Ai iu afrua pranë dhe i tha “Nuk do të më pengosh të mashtrojmë Midorin sa kohë do të jemi në këtë jetë? Atë moment ajo iu përgjigj pa ngurruar. “Meqë ne nuk mund ta shmangim faktin që jemi mëkatarë, atëherë le të jemi të paktën mëkatarë të mëdhenj. Dhe aq sa të jetojmë do të mashtrojmë jo vetëm Midorin, por gjithë botën”.
Që atë mbrëmje ata për herë të parë filluan të takoheshin fshehurazi. Në spektaklin e barkës që kishte marrë flakë dhe që deti e kishte gëlltitur pa e vënë re askush, asaj iu duk sikur kishte parë simbolin e fundit të dashurisë së saj të pashpresë. Ajo që pa ajo atë natë në sipërfaqen e detit ishte padyshim tortura sa e shkurtër aq edhe patetike e një gruaje të shkrumbuar nga zjarri i dashurisë….
Kështu nis historia e fshehtë dhe përvëluese e Saikos, një gruaje të bukur japoneze që vendosi të ishte përgjithmonë e fshehur në ndjenjën e saj. Inoue Yasushi duket se e ka dashur më shumë torturën e kësaj gruaje teksa hidhte në letër një nga romanet më të lexuara të tij në të gjithë botën “Tri gra”. Saiko nuk ishte e vetme në rrugëtimin e saj.
Të njëjtën torturë përjetonte dhe Midori, e cila për vite me radhë e mbajti të fshehur faktin që kishte zbuluar dashurinë e fshehtë të të shoqit me miken e saj të ngushtë. E konceptuar në formën e tri letrave. Një e shkruar prej bashkëshortes, tjetra prej së dashurës, dhe një letër e së bijës e cila rrëfen mënyrën sesi e ka ndier këtë histori dhe humbjen e së ëmës, “Tri gra” është një roman tronditës për pasionin njerëzor.
Është historia tragjike e një pasioni të pamundur i shkruar në tri letra, që i drejtohen të njëjtin person nga tri gra të ndryshme. Në fillim të duket sikur kemi të bëjmë me një histori të zakonshme dashurie jashtë martese. Por shumë shpejt kuptojmë se kjo është një histori e veçantë, ndoshta një nga më të bukurat nga historitë e dashurisë të letërsisë bashkëkohore.
Me mjete të kursyera, me një finesë të rrallë dhe me një gjuhë të përkorë Jasushi Inoue jep në këtë roman versionin e përjetshëm të dashurisë së mallkuar. Vepra ka ardhur në shqip nën përkthimin e Helena Kadaresë, e cila si një njohëse e mirë e fjalës duket se ka depërtuar mjeshtërisht në artin e Inoue.
I shkruar me një intensitet emocionesh, lexuesi preket nga secila prej letrave dhe është në anën e të tria këtyre grave. Inoue e vesh me një mister dhe dinjitet dhe Midorin, (gruan e tradhtuar) teksa shkruan rrëfimin e saj të lamtumirës. Midori nuk do ta harrojë asnjëherë shkurtin e vitit 1934 kur teksa gjendej në një dhomë të katit të dytë të hotel “Atamit”, ajo do të shihte poshtë bri detit të shoqin veshur me një kostum gri.
“Sa e madhe qe dhembja ime kur vura re atë haori mëndafshi, të stolisur me gjembaçë të praruar. Ajo mbante këtë veshje, një grua e gjatë dhe e bukur u afrua drejt teje. Unë nuk e prisja që parandjenja ime të vërtetohej aq saktësisht, e megjithatë, për të ditur nëse kjo parandjenjë ishte e bazuar apo jo, kishte ardhur aty me një frymë pas një nate, pa mbyllur sy në tren. Isha 20 vjeçe në atë kohë dhe goditja ishte e vrazhdë për një grua të porsamartuar që s’dinte abc-në e jetës…”.
Nëse Midori nuk do të kishte ikur nga ajo dhomë hoteli dhe do të kishte zbritur atje në det ku ishin ata të dy dhe të përballej me ta, ndoshta kjo histori nuk do të ishte zgjatur përjetësisht dhe fati i tyre do ishte ndarë në rrugët e veta.
Por ajo se ndoqi rrugën që e çonte nga deti dhe zgjodhi të heshte përgjithmonë… Yasushi Inoue i shkroi këto tri letra me një gjuhë tronditëse edhe pse në dukje të thjeshtë. Ndoshta se ai besonte se gjithnjë drama ndodhej aty ku mendohej se nuk ndodhte asnjë. Të gjithë duan t’i lexojnë këto tri letra që edhe pse të shkruara gjysmëshekulli më parë duken aq bashkëkohore.
Kjo histori e jashtëzakonshme e letërsisë japoneze do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli në datat 18-19-21-25-26-27-28 tetor. “Tri gra dhe Misugi”, është një dramatizim nga novela e famshme e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. Në thelb të dramës, janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie.
E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tre personazhe: aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët. Në një shfaqje të konceptuar si teatër brenda teatrit, përmes distancimit në intervalet mes monologjeve (letrave) zbërthejmë marrëdhënien njerëzore aktor – regjisor me kompleksitetin e saj e cila shkon në rrafsh paralel me rrëfimin e personazheve të Inoues.
Me mbështetjen e Ministrisë se Kulturës, Bashkisë Tiranë, Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli, Tess Albania, vepra vjen ne Teatrin Eksperimental Kujtim Spahivogli. Përkthyer nga Anxhela Çikopano, dramatizuar nga Anxhela Çikopano e Suela Bako, skena, kostumet dhe poster design Laedia Hajdari, lighting designer Edi Dingu, Video dhe foto nga Gert Izeti.
Me aktorët Suela Bako, Romir Zalla, Anila Muçaj dhe muzika nga Elona Islamaj pritet që ky dramatizim të jetë i paharrueshëm. Yasushi Inoue u lind në Asahikwa, në ishullin verior të Hokkaidos. Në vitin 1926 filloi studimet e larta kohë në të cilën merrte pjesë në një klub xhudoje dhe shkruante poezi. Studioi estetikë dhe filozofi në Universitetin Perandorak të Kyushit, dhe u diplomua në vitin 1936.
Pas luftës Inoue bën debutimin e tij si shkrimtar në vitin 1949 me romanin “Tri gra” dhe “Togyu” ndërsa në vitin 1950 fiton çmimin prestigjioz “Akutagawa”. Në vitin 1951 shpërngulet në Tokio dhe i përkushtohet tërësisht të shkruarit, ndërsa në vitin 1976 merr Urdhrin për Merita Kulturore nderimi më i madh i akorduar nga qeveria japoneze. Krijimtaria e tij letrare frymëzohet që nga Japonia moderne, e deri te Kina e lashtë. Inoue ka marrë shumë çmime, si dhe është nderuar si “Thesar i Gjallë Kombëtar” i Japonisë.
Krahas letërsisë artistike ai ka shkruar edhe disa vepra historike, si “Ro-ran(1959)” ku bëhet fjalë për ngritjen dhe rënien e një shteti të vogël në Azinë Qendrore, “Aoki okami(1959)” një rrëfim i imagjinuar i jetës së Xhenxhis Khanit dhe “Futo (Era dhe dallgët)” ku flitet për sulmet mongole të shekullit XIII. Pas Kawabat-ës ai u zgjodh zëvendëspresident ndërkombëtar i PEN-it , në vitin 1984. Vdiq në 29 janar 1991 në Tokio.