Greg Rama flet për artin, marrëdhënien me të atin dhe për pikën e tij më të dobët

Disa ditë më parë, djali i madh i kryeministrit Rama, Greg Rama, prezantoi para publikut vendas ekspozitën e parë, të titulluar “Fidem”.

Ekspozita personale e kuruar nga pedagogu i Ramës, Vladimir Myrtezaj, konsiston në një instalacion të vetëm i cili shtrihet në tre salla. Shigjeta në dukje të pafundme qëndrojnë pezull në ajër, disa depërtojnë murin e bardhë, kundrejt sfondit të bardhë dhe dritës së shkëlqyeshme. Shigjetat drejtojnë drejt një sfere gjigande, po të bardhë, të paprekur nga asnjë prej tyre.

Advertisement

Pas çeljes së kësaj ekspozite, në një intervistë eksluzive për “7pa5” në Vizion Plus, Greg foli mbi pasionin për artin, marrëdhënien me të atin, i cili nuk ishte prezent në ditën e hapjes, familjen, si dhe për vëllain e tij më të vogël, Zahon.

Për 28-vjeçari Shqipëria e 2018-ës është komplekse dhe ajo që e irriton më shumë është trafiku, por përsëri natyra e vendit ngelet shumë e bukur.

Në ditë e hapjes mungonte një ndër personat më të veçantë të jetës së tij, i ati Edi Rama, për shkak të angazhimeve të shumta politike. Gjithsesi, Gregu ka shumë besim se ai do të jetë i pranishëm së shpejti.

“Ftesa e parë që kam çuar ka qenë babit. Ishte një ftesë në “WhatsApp”. Nuk e çova me zarf sepse e kisha me padurim që ta coja me zarfe. Ai nuk erdhi se kishte një angazhim politik, por siç e thamë dhe më sipër unë besoj se ai do vije . Nuk jam konsultuar me babin sepse kisha një dëshirë për t’ja bërë surprizë ekspozitën. Jo vetëm atij, por kujtdo, dhe duke thënë që besimi nuk më mungon e mora përsipër këtë risk dhe nuk u konsultova me asnjë njeri.” – rrëfeu Gregor.

I pyetur se si është raporti i tij me të ëmën, Greg u përgjigj se ajo është njeriu që do më shumë në jetë.

Gjithsesi, pika e tij e dobët ishte dikush tjetër, për të cilin s’mund të fliste kurrsesi pa u zgjatur pak.

“Zahon, e kam pikë të dobët! Është një fat i madh që ai erdhi në jetë. Zaho, s’ka ardhur akoma pasi ishte bashkë me babin në Amerikë. Kur të vije, do ta marr me vete do t’i mbyll dyert edhe dua që ai ta shikojë këtë ekspozitë vetëm për vete. Ai është një djalë shumë inteligjentë. Madje çdo ditë që kalon ai duket se bëhet më inteligjent. Është shumë i vëmendshëm, i dashur, shumë i qetë. Tani nuk dua të ndikohem nga marrëdhënia ime apo dashuria ime për atë, por mua më duket një nga djemtë më inteligjent për moshën që ka. Mbase edhe ngaqë e dua shumë.” –tregoi Greg Rama.

Intervistën e plotë e gjeni këtu.