Gjendet i vdekur aktori Lee Sun-kyun, fitues i çmimit “Oskar” me filmin “Parasite”.

Aktori koreano-jugor Lee Sun-kyun, i njohur më së shumti për rolin e tij në filmin fitues të çmimit Oskar “Parasite”, ka ndërruar jetë.

Lee u gjet i vdekur në një makinë në një park qëndror të Seulit të mërkurën. Lee, 48 vjeç, u gjet pasi gruaja e tij raportoi në polici se ai ishte larguar nga shtëpia dhe ajo kishte gjetur një shënim, që dukej si shënim për vetëvrasjen.

Advertisement

Ai kishte qenë nën hetim nga policia i dyshuar për përdorim të marihuanës dhe drogave të tjera psikoaktive. Lee ishte marrë në pyetje tre herë nga policia, duke përfshirë 19 orë gjatë fundjavës. Aktori kishte thënë se ishte mashtruar nga një zonjë e një bari, e cila më pas u përpoq ta shantazhonte.

Koreja e Jugut ka ligje të ashpra për drogën dhe krimet e drogës zakonisht dënohen me të paktën gjashtë muaj burg ose deri në 14 vjet.

I diplomuar në Universitetin Kombëtar të Arteve të Koresë së Jugut, Lee debutoi në aktrim në vitin 2001 në një sitcom televiziv të titulluar “Lovers”. Ai u bë i njohur më së shumti për portretizimin e patriarkut të pasur në filmin e regjisorit Bong Joon-ho, fitues i çmimit “Filmi më i mirë” në Oscars 2019, “Parasite”.

Ai la pas gruan Jeon Hye-jin dhe dy djem.