Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri siguroi komisionerin e BE-së për Migracionin e Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë në problemin e refugjatëve.
“Shqipëria është e gatshme të bëjë detyrat e saj dhe të mbajë përgjegjësi. Asnjë vend s’ia del dot i vetëm me këtë problem, por të gjithë bashkë mund t’ia dalim. Ndamë bindjen që duhet më shumë koordinim në këtë kuadër, duke pasur parasysh të gjitha hapat: nga shkëmbim informacioni deri te strukturat solide për pritjen paraprake të refugjatëve. Shpreha shqetësim lidhur me domosdoshmërinë për një plan të përbashkët, që të mos përsëriten në Shqipëri skenat që kanë ndodhur në vendet e tjera. Duhet të përgatitemi për çdo situatë. Kemi marrë mbështetjen e komisionerit, duke e konceptuar këtë si një çështje europiane, ku Shqipëria nuk duhet dhe nuk do të jetë vetëm. Shqipëria do të jetë e angazhuar për të përballur përgjegjësitë e saj”, tha Tahiri në një konferencë të përbashkët me Avramopoulos në Tiranë.
Nga ana e tij, komisioneri tha se “nuk ka të dhëna se Shqipëria do të preket nga fluksi i emigrantëve, por duhet të jemi të përgatitur për çdo eventualitet dhe po e monitorojmë në terren situatën”.
Avramopoulos shtoi gjithsesi se “KE-ja do të sigurojë mbështetjen e nevojshme nëse kërkohet, ndërkohë që po e mbështesim me instrumente të ndryshme Shqipërinë”.
Në Shqipëri refugjatët nuk kanë mbërritur, por kriza është shumë afër kufijve jugorë. Përmendja e Shqipërisë si një pikë e mundshme e dyndjes së tyre pas bllokimit të kufijve ka sjellë në Tiranë zyrtarin e Bashkimit Europian. Avramopulos është takuar në mëngjes me kryeministrin Edi Rama me të cilin ka diskutuar në lidhje me bashkëpunimin mes BE-së dhe Shqipërisë.
Një pritje është organizuar me komisionerin e BE-së edhe nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.