Arrestohet i shumëkërkuari i sulmeve të Parisit, Salah Abdeslam

I shumëkërkuari për sulmet e nëntorit në Paris, Salah Abdeslam është arrestuar nga policia belge në Bruksel, pas një operacioni të forcave speciale.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat belge që citojnë burime të policisë. Gjatë operacionit të forcave të rendit, të zhvilluar në lagjen me dendësi popullsie islamike Molenbek, u përdorën armë zjarri dhe granata, si dhe mbetën të plagosur 2 persona, njëri prej të cilëve Abdeslam.

Advertisement

Më herët u raportua se gjurmë të gishtave të të shumëkërkuarit ishin gjetur në një apartament të bastisur pak ditë më parë nga policia.

Abdeslam, një shtetas francez i lindur në Bruksel, ka jetuar në Molenbek pas sulmeve të 13 nëntorit në kryeqytetin francez, ku mbetën të vrarë 130 persona.

Ai ka qenë subjekt i një fushate të gjerë kërkimi të forcave të rendit për sulmet në fjalë, të marra përsipër nga Shteti Islamik.