Kryediplomati i Koresë së Veriut e cilësoi fjalimin e Presidentit Donald Trump në Kombet e Bashkuara si zhurma e një qeni që leh.
Në fjalimin e tij, Trump tha se do të shkatërrojë totalisht Korenë e Veriut nëse kërcënon SHBA-në ose aletatë e saj. Por, ministri i Jashtëm koreanoverior injoroi fjalët e Trump dhe tha se ato nuk trembin e as habisin askënd, aq më tepër Korenë e Veriut.
“Qentë le të lehin, karvani të ecë përpara. Nëse Trump mendonte se do të na habiste me tingullin e një qeni që leh, ai po ëndërron”, tha ministri Ri Yong-ho.
Fjalët e ministrit të Jashtëm ishin komentet e para të Koresë së Veriut për kërcënimet e Trump. I pyetur nga gazetarët se çfarë mendon për pseudonimin ironik “njeriu i raketës” që Trump i vendosi liderit Kim Jong-un, kryediplomati i Penianit tha se i vjen keq për ndihmësit e Presidentit amerikan.
Ky i fundit me fjalimin e tij tentoi të tregojë vendosmërinë amerikane ndaj Koresë së Veriut, e cila, pavarësisht sanksioneve të panumërta të OKB-së, vazhdon pa u shqetësuar programin e saj bërthamor.