Ish-sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, vdiq të hënën nga komplikimet e Covid-19. Familja e tij njoftoi se ai ishte plotësisht i vaksinuar. Ishte 84 vjeç dhe vuante edhe nga kanceri.
Zyrtarët shëndetësorë shqetësohen se aktivistët kundër vaksinave do ta përdorin vdekjen e tij si argument se vaksinat nuk funksionojnë. Nëse njerëzit vdesin edhe pasi vaksinohen, atëherë pse duhet marrë vaksina kundër Covid-19?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, CNN diskutoi me analisten mjekësore Dr. Leana Wen, një mjeke dhe profesoreshë e politikave dhe menaxhimit shëndetësor në Universitetin George Washington.
CNN: Kur shohim njerëz të vaksinuar që vdesin nga Covid-19, si e shpjegoni se vaksinat ia vlen të merren?
Dr. Leana Wen: Duhet të shohim atë që na tregojnë kërkimet shkencore. Vaksinat Covid-19 janë jashtëzakonisht efektive në parandalimin e simptomave, sidomos atyre të rënda. Të dhënat më të fundit nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tregojnë se vaksinat ulin gjasat e testimit pozitiv për Covid-19 gjashtë herë, dhe gjasat e vdekjes me 11 herë.
Kjo do të thotë se nëse jeni të vaksinuar, ju keni gjashtë herë më pak të ngjarë të infektoheni me Covid-19 në krahasim me dikë që nuk është vaksinuar. Dhe keni 11 herë më pak të ngjarë të vdisni nga Covid-19, në krahasim me një person të pavaksinuar.
Sidoqoftë, asnjë vaksinë nuk mund të jetë 100% efektive, por kjo nuk do të thotë se vaksina nuk funksionon, ose se nuk duhet ta merrni atë.
CNN: A ka më shumë të ngjarë që disa njerëz të sëmuren rëndë me Covid-19, pavarësisht vaksinimit?
Wen: Po, dhe gjenerali Powell ra në atë kategori. Ne e dimë se individët më të moshuar dhe me probleme shëndetësore paraprake, kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje të rënda dhe të vdesin pas infeksioneve të mëdha. Në rrezik të veçantë janë njerëzit me imunitet të dobët. Kjo është një nga arsyet pse rekomandohen dozat përforcuese për këtë kategori personash.
CNN: Ju keni thënë më parë se vaksinat funksionojnë më mirë kur i marrin të gjithë, apo jo?
Wen: Pikërisht. Përfytyrojeni vaksinën Covid-19 si një mushama shumë të mirë. Ajo ju mbron nga shirat, por nëse fillon një stuhi dhe më pas një tufan, ka një shans shumë më të madh që të lageni. Kjo nuk do të thotë se mushama juaj është e dëmtuar. Do të thotë se moti është shumë i keq dhe mushamaja nuk mund t’ju mbrojë gjithmonë.
Nëse ndodheni në një mjedis me sasi të madhe virusi, kjo rrit mundësinë e infektimit. Problemi nuk është vaksina, por fakti që ka shumë virus rreth jush.
Kjo është arsyeja pse çelësi është që të vaksinohen sa më shumë njerëz. Kjo zvogëlon shkallën e përgjithshme të infeksionit dhe na mbron të gjithëve.
Një studim i 13 shteteve gjatë gjashtë muajve, tregoi se individët e vaksinuar plotësisht përbënin vetëm 4% të të gjitha shtrimeve në spital nga Covid-19. Njerëzit e pavaksinuar kanë 17 herë më shumë gjasa të shtrohen në spital.
CNN: Çfarë tjetër do t’u thoshit atyre personave që nuk besojnë se vaksina është efektive?
Wen: Unë do t’u kërkoja të mendojnë për aspekte të tjera të mjekësisë. Le të themi se dikush vuan nga sëmundja e zemrës. Ekzistojnë ilaçe për të trajtuar sëmundjet e zemrës, por as ato nuk janë 100% efektive – sepse asgjë nuk është e tillë. Nëse shëndeti i një të sëmuri përkeqësohet, kjo nuk do të thotë se nuk ia vlen të merren ilaçet.
Ose le të përdorim një shembull parandalimi. Le të themi se dikush që ha një dietë të shëndetshme dhe kryen ushtrime fizike, përfundon me tension të lartë gjaku dhe diabet. Kjo nuk do të thotë se dieta dhe stërvitja nuk janë të mira. Ndonjëherë mund të ndërmerrni të gjithë hapat e duhur për të parandaluar një sëmundje, dhe prapë mund të prekeni nga sëmundja.
Një studim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, zbuloi se vaksinat Covid-19 parandalonin më shumë se 139,000 vdekje në pesë muajt e parë. Deri më 9 maj, në Shtetet e Bashkuara vdiqën rreth 570,000 veta nga Covid-19. Pa vaksina, numri i vdekjeve mund të kishte shkuar në 709,000.
CNN: A munden vaksinat të parandalojnë gjithashtu një ringjallje të virusit këtë dimër?
Wen: Po. Numrat e rasteve po bien, sidoqoftë një valë tjetër infeksionesh është e mundur, veçanërisht me vetëm 57% të popullsisë amerikane të vaksinuar plotësisht. Çelësi për të zvogëluar rrezikun nga Covid-19-dhe për t’i dhënë fund pandemisë, është që të vaksinohemi të gjithë. Kjo gjë na mbron ne dhe personat rreth nesh.