Facebook është rrjeti social më i përdorur në botë, dhe kjo nuk ka aspak dyshime. Këtë e ka konfirmuar edhe themeluesi i tij Mark Zuckerberg, i cili lajmëroi me anë të një postimi se prej datës 27 qershor, në Facebook ndodhen më shumë se 2 miliardë njerëz. Kjo arritje kolosale vjen vetëm 13 vite pasi rrjeti social u krijua nga Zuckerberg, kur ai studionte në Harvard. Në fakt, pas suksesit të Facebook, Zuckerberg braktisi studimet.

Gjigandi i internetit arriti një miliard përdorues në tetor të vitit 2012 dhe kjo do të thotë se dyfishoi numrin e përdoruesve brenda 5 viteve. Rritja e vazhdueshme e Facebook habit jo pak kritikët e tij, të cilët prej kohësh parashikojnë një ngadalësim të këtij rrjeti social. Pavarësisht reduktimit të fitimeve nga reklamat, ambiciet e Zuckerberg janë të mëdha. Ai tha se kompania nuk bëri shumë zhurmë për arritjen e dy miliardë përdoruesve, sepse ende nuk ka mundur që të lidhë në rrjet këdo në botë.

Advertisement

Por rritja e shpejtë e kompanisë ka vendosur nën presion aftësinë e saj për të ndaluar përmbajtjet e dhunshme dhe ilegale që postohen në faqen e saj. Për këtë arsye, muajin e shkuar, Facebook punësoi 3.000 njerëz të rinj që do të merren vetëm me gjërat që postohen aty.