Erasmus PLUS, 14.7 miliardë euro për arsimin dhe rininë

U promovua sot udhëzuesi për Erasmus Plus, i cili ofron mundësi nga Bashkimi Evropian për arsimin, formimin profesional, rininë dhe sportin.

Ky udhëzues i përgatitur nga Projekti i Asistencës Teknike (SMEI3), pranë Ministrisë së Integrimit në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale, jep gjithë informacionin nevojshëm për ata studentë, mësues, përfaqësues organizatash të cilët mund të përfitojnë prej tij.
Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, bëri prezantimin e udhëzuesit duke theksuar se Shqipëria nuk mund të integrohet në Bashkimin Europian, pa arsim cilësor, pa të rinj të aftë, pasi është pikërisht ky brezi që do të na garantojë vazhdimësinë e këtij procesi.
“Sot më shumë se asnjëherë më parë, investimi në dije, është investim për të ardhmen. Me ndihmën e partnerëve tanë, duhet tu krijojmë të rinjve kushtet më të mira dhe tu japim mundësitë që ata të ecin përpara, pasi vetëm kështu mund të çojnë përpara Shqipërinë”, tha ministrja Gjosha.
Shefja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, i bëri thirrje qeverisë shqiptare të bëj më shumë për arsimin. Znj. Vlahutin ftoi të rinjtë shqiptarë të aplikojnë në programin Erasmus Plus.
“Bëhuni pjesë e këtij programi, studioni jashtë, por në fund kthehuni në shtëpi, sepse e ardhmja juaj është këtu”, tha Vlahutin.
Ndërsa Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, theksoi se programi Erasmus Plus ka në qendër universitetet. “Ministria e Arsimit dhe Sportit do të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme për universitetet që do të marrin pjesë në Erasmus Plus por iniciativa ju takon ju. Iniciativa i takon profesorëve të apasionuar dhe studentëve të talentuar, i takon stafit akademik shqiptar. Është në mundësinë tuaj që hapësirat e programit Erasmus Plus ti shndërrojmë në mjete konkretë për arritjen e objektivave tanë të përbashkët për përmirësim cilësor të arsimit të lartë”, tha Ministrja Nikolla.
I pranishëm në këtë aktivitet, Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj u shpreh vec të tjerash, se nëpërmjet këtyre programeve të rinjtë shqiptarë duhet të bëhen ambasadorë të Shqipërisë, për të treguar se Shqipëria ka një imazh tjetër, imazhin e një vendi inteligjent, një Shqipërie të talentuar, një Shqipërie që punon fort. Duke u ndalur të punësimi, Ministri Veliaj theksoi se një person që ka mbaruar Erasmus, është dy herë më i punësueshëm se një person që nuk ka patur asnjë eksperiencë jashtë vendit.
Programi Erasmus +, një program ky i ri për arsimin, formimin profesional, rininë dhe sportin do të vazhdojë deri në vitin 2020 dhe ka një vlerë 14.7 miliardë euro.
Erasmus+ i cili synon të zgjerojë mundësitë për punësim dhe zhvillimin profesional të të rinjve si dhe të ndihmojë sistemet tona arsimore, për një mësimdhënie e mësimnxënie që u siguron individëve aftësitë për të cilat kanë nevojë në tregun e punës dhe shoqëri ka 3 fusha kryesore veprimi:
E para përfshin mundësi të reja arsimimi për studentët,kandidatët për doktoraturë, stazhierët, vullnetarët e rinj, mësuesit, trajnuesit apo personat që punojnë me të rinjtë.
Fusha e dytë përfshin mundësitë për të krijuar partneritetet që nxisin bashkëpunimin nëpërmjet institucioneve dhe organizatave të arsimit, formimit dhe rinisë si dhe botës së arsimit dhe punës.
Fusha e tretë e veprimit ka të bëjë me mbështetjen ndaj proceseve të dialogut dhe nxitjes së reformave në arsim,dhe formimin në politikat e sistemet për të rinjtë.

Advertisement