Paloka e akuzon për lidhje me krimin, Tahiri i ngre padi për shpifje

Partia Demokratike nëpërmjet një daljeje për mediat ka dënuar ndërhyrjet e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në debatet televizive dhe presionet që ai ushtroi ndaj medias e ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë.

Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka tha se “me tone të larta, skandaloze, të papranueshme Tahiri përsëriti disa herë kërkesën që analistët të rishikonin qëndrimet e tyre e të mos kritikonin, si dhe i dha urdhra politike përfaqësuesit të prokurorisë, drejtpërdrejt në sytë e mbarë opinionit. Në këtë sjellje të dyshimtë, si e ndikuar nga efektet e substancave të paligjshme, Ministri i Brendshëm, kaloi disa herë vijën e kuqe, duke treguar mentalitetin e tyre qeverisës, që kujtojnë se kanë të drejtë të urdhërojnë median, prokurorinë, e këdo që nuk mendon njësoj si ata.”
Duke e akuzuar ministrin Tahiri si të lidhur me krimin e organizuar, Paloka tha se ky është burimi i nervozizmit të Ministrit të Brendshëm.
“Ai vetë e pranoi se Emiliano Shullazi ka kërcënuar kreun e opozitës, por nuk është marrë asnjë masë ndaj tij, perkundrazi, sipas gjykimit personal të Ministrit, kreu i opozitës e meriton një trajtim të tillë”, tha Paloka duke risjellë në vëmëndje rastin e avokatit që përfundoi në qeli pas presionit që i bëri Edi Ramës.
“Na lini të punojmë thotë ministri, se e di ai vetë, kë arreston, kë lë të lirë, kë ndihmon të kërcënojë kreun e opozitës, kujt i hap rrugët e trafikut. Jo zoti Ministër. Jo zoti Kryeministër. Nuk ka për të ardhur asnjë ditë kjo kohë që ju po kërkoni. Për fat qytetarët sot kanë informacion, ka përfaqësues të medias që janë të lirë dhe zëri i tyre dëgjohet. Dhe është opozita, Partia Demokratike që do ta bëjë cdo ditë betejen me krimin, dhe me lidhjet e krimit me pushtetin, me qeverinë, me ministrin e Kryeministrin. Cdo ditë, pa u ndalur. Derisa e keqja të shkulet me rrënjë.”
Por shumë i shpejtë ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme që nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë për mediat ka bërë të ditur ngritjen e një padie ndaj kreut të grupit parlamentar Edi Paloka.
“Edi Palokën e njeh mirë çdo qytetar, që ndjek jetën politike shqiptare dhe s’ka dyshim se jo vetëm mes qytetarëve pa dallime partiake, po edhe mes vetë kolegëve të tij partiake, ka konsensus të plotë për faktin se ky individ jeton me profesionin e shpifësit”, thuhet në deklaratë. Ministria e Brendshme deklaron se ka ardhur koha, që shpifje të cilat njollosin personalitetin, dinjitetin dhe punën e të tjerëve për shkak të detyrës të ndëshkohen sipas ligjit.
“Drejtësia duhet ta ndihmojë Edi Palokën të mësojë se koha e pandëshkueshmërisë për zanatin e tij të ulët ka mbaruar”, përfundon deklarata e MB.

Advertisement