Fansat e saj janë duke pritur me padurim hitin e radhës nga Era Istrefi. “Bon Bon” ka qenë një ndër këngët më të dëgjuara vitin e kaluar dhe i gjithë publiku është duke pritur një tjetër projekt nga Istrefi, të cilin ajo e ka lajmëruar prej kohësh. Në një intervistë për emisionin ”Wake Up” në Top Channel, Era u ka kërkuar ndjesë fansave për këtë vonesë dhe u ka premtuar se shumë shpejt do të vijë me këngë të reja.
“Premtova që do të dilte në tetor një këngë e re dhe për këtë ndihem keq, si një politikane që s’mban premtimet”,- është shprehur këngëtarja me humor gjatë intervistës në Top Channel.
Kjo nuk do të thotë që Era është duke pushuar, përkundrazi. Këngëtarja është duke punuar mbi një album dhe vitin e ardhshëm do të rikthehet me hite të tjera.
“Ndërkohë kam punuar dhe kam gati 10 këngë në e-mail, pra një album. Kam punuar me producentë shumë të mirë e të njohur nga mbarë bota. E di që do të pëlqehen shumë, veç kërkoj dhe pak durim nga fansat. Shumica e këngëve janë në anglisht, por kam futur edhe diçka në shqip”,- ka shtuar këngëtarja.
Të gjithë kuriozët duhet të bëjnë durim. Era premton të rikthehet fuqishëm, edhe pse “Bon Bon” mbetet trampolina e saj drejt suksesit./Blitz.al/