Pak ditë pasi publikoi këngën “Un Dia”, bashkëpunimin me yjet e muzikës latine J Balvin dhe Bad Bunny, Dua Lipa lajmëron nxjerrjen e një tjetër projekti, ku kësaj rradhe ka bashkuar forcat me legjenda të industrisë.
Me anë të një postimi në Instagram këngëtarja shqiptare ka njoftuar se kënga e saj “Levitating”, e publikuar në prill të 2020-ës si pjesë e albumit të ri “Future Nostalgia”, do të ketë një version remix. Ky version do të realizohet në bashkëpunim me Mbretëreshën e Pop-it Madonna-n dhe një nga artistet më të famshme të muzikës rap, Missy Elliott. Remix-i është punuar nga një emër po ashtu i njohur, Dj amerikane The Blessed Madonna.
“Ëndrrat bëhen realitet”- ka shkruar Dua bashkangjitur me foton e 4 artisteve. Kujtojmë se përgjatë viteve ajo ka pranuar se idhulli i saj është pikërisht Maddona, madje muzika e kësaj të fundit ka qenë si pikë reference për albumin e fundit.
Remix-i i “Levitating” do të pulbikohet në 14 gusht dhe ne nuk kemi më ç’themi për Dua-n sepse për momentin ndodhet aty ku asnjë artist shqiptar nuk ka shkuar më parë, në majën e muzikës botërore.