Mbrëmja e djeshme në “The Voice Kids” ka qenë e mbushur plot emocione nga zërat e mrekullueshëm të konkurrentëve të vegjël.
Sfida ishte shumë e fortë, pasi të gjashtë finalistet ishin shumë të talentuar dhe diferenca mes tyre ishte shumë e vogël, por zëri më i mirë i fëmijëve në Shqipëri, u zgjodh djaloshi që erdhi nga Italia për të ndjekur ëndrrën e tij drejtë muzikës, Denisi.
Kësaj mbrëmje nuk i kanë munguar surprizat, e një e tillë ka qenë edhe ngjitja në skenën e “The Voice” e këngëtares Elvana Gjata. Ajo është një ndër këngëtaret më të pëlqyera të publikut të rritur, por edhe të fëmijëve, të cilët edhe në “The Voice Kids” kanë kënduar këngët e saj.
Elvana i emocionoi të gjithë teksa këndoi këngën “Më fal” , shkëputur nga mini-albumi i saj “3” dhe në fund atmosfera u ndez me ritmet e këngës “Xheloz” që bëri të gjithë të kërcejnë.
“Kur kam qenë tek Ethet kisha shumë emocione nga të rriturit, sot kam emocione nga fëmijët. Dua të jem një shembull i mirë për ta”, – tha këngëtarja pas performancës.
Kujtojmë që për Elvanën është hera e parë që ngjitet në skenën e “The Voice”.