Elhaida Dani ka rrëmbyer dy trofe në finalen e festivalit “Kënga Magjike”.
Ajo u vlerësua me çmimin e Kritikës dhe u rendit në vendin e dytë nga votat e kolegëve të saj, me një diferencë të vogël nga fituesja Anxhela Peristeri. Pak më parë këngëtarja ka publikuar një shkrim në Instagram duke treguar emocionet që ka përjetuar në skenën e “Kënga Magjike” pas prezantimit jo vetëm si këngëtare por edhe si tekstshkruese e kompozitore e këngës së saj.
“Të ngjitesha në atë skenë për mua ka qenë një përgjegjësi e madhe! Në fillim stafi dhe të afërmit e mi ishin të gjithë kundër kësaj pjesëmarrjeje në KM. Më thonin që po rrezikoja shumë… Por unë e dija që këtë këngë që një natë më kishte frymëzuar të kompozoja, doja ta këndoja në një skenë të madhe shqiptare! Dhe nuk mund të jem më e lumtur se sa sot! Kam marrë nga ky festival më shumë se sa çmime. Kam marrë dashurinë tuaj dhe sot ndihem akoma më afër jush që më mbështesni prej vitesh!”,- shkruan këngëtarja duke falënderuar njëkohësisht dhe të gjithë stafin që është kujdesur për të si dhe organizatorët e festivalit.
“E ngrirë” është një këngë të cilën Elhaida ka vendosur që ta sjellë edhe me videoklip në versionin anglisht shumë shpejt.