Elbasan | Kryeparlamentarja Topalli uron me rastin e Ditës së Verës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e festoi Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit, qyteti që e feston këtë ditë që nga lashtësia. Pasi vizitoi Panairin “Dita e Verës 2013” Topalli, uroi mbarë qytetarët shqiptarë “Gëzuar këtë ditë, në veçanti elbasanasit, të cilët janë dhe mikpritësit e mijëra vizitorëve”. “Është kënaqësi që festojmë së bashku këtë ditë kaq të bukur. Është një festë që qytetarët elbasanas, me ëmbëlsinë e ballokumeve, me bukurinë e luleve dhe me gëzimin qytetar, i japin kësaj dite. Edhe koha me shi është sfiduar në këtë ditë, pasi të gjithë gëzojnë, të gjithë janë bashkë në këtë ditë të bukur”, u shpreh Topalli në një prononcim për mediat. Duke vlerësuar Panairin, Topalli shtoi se numëri i bizneseve nga viti në vit ka ardhur në rritje, ndërsa përgëzoi dhe organizatorët e këtij eventi. “Jam e sigurtë se edhe me përfundimin e rrugës Elbasan-Tiranë do të jetë një numër shumë më i madh biznesesh. Ajo që më ka bërë përshtypje kësaj radhe janë emigrantët shqiptarë, të cilët 20 vite më parë lanë Shqipërinë, me pamundësinë për të jetuar në këtë vend, dhe tashmë janë kthyer në Shqipëri kanë hapur biznese. Bizneset e tyre janë prezente në këto panaire, ku ata kanë sjellë eksperiencën e tyre, si edhe kanë krijuar biznese të reja, duke rritur numrin e të punësuarve”, u shpreh Topalli. Sipas saj, numri më i madh i bizneseve ka më shumë të punësuar, më shumë mirëqenie, gjë siç u shpreh Topalli “synojmë ta realizojmë edhe në katër vitet e ardhshme”.

Advertisement