Nga Rexhina Biba
Pasi pash “The Voice Kids” të premten që lamë pas, mendja ime fiksoi vetëm një konkurrente, Danjelën.
Në fakt duhet të them një personazh, pasi ajo nuk ishte thjesht një konkurrente në atë kompeticion. Ajo ishte shumë më shumë se aq…
Të gjithë kemi nga pak Danjelë brenda vetes, ose më saktë unë besoj që të gjithë e kanë, dhe pse shumica përpiqen ta fshehin atë pjesë të bukur të karakterit. Danjela frymëzoi një Shqipëri të tërë me thjeshtësinë dhe zërin e saj, por ajo ende vazhdon të jetë shumë modeste.
Më bëri përshtypje kur tha se nuk pret të fitojë “The Voice”, nuk pret as të bëhet këngëtare dhe pse ka “rrëmbyer” dhjetra çmime të para në konkurse muzikore, por me shumë modesti ajo tha se thjesht dëshiron të bëhet veterinere dhe të ndihmojë kafshët. Mbi të gjitha, ndryshe nga fëmijët e tjerë, Danjela nuk dëshiron një telefon ose kompiuter, ajo dëshiron thjesht që vëllai i saj, i cili është me sindromën Down të përmirësohet më shumë dhe të përshtatet me bashkëmoshatarët e tij. Duket e pabesueshme, apo jo?!
Një fëmijë në moshën e Danjelës që mendon në një mënyrë që shumë të rritur nuk dinë të mendojnë. Një fëmijë që nuk ankohet te prindërit për të blerë cëlularin e fundit, por ankohet në heshtje ndaj organeve kompetente se vëllai i saj nuk ka ku mundësi të marrë trajtim të specializuar çdo ditë. Një fëmijë si Danjela që nuk qan se nuk ka mjaftueshëm lodra në shtëpi, por qan për kecat dhe klyshët që kanë ngordhur. Një fëmijë që nuk zemërohet me prindërit që u zhvendosën të jetonin në fshat nga pamundësia për të gjetur punë në qytet, por e shijon jetën dhe origjinalitetin e fshatit.
Danjela na bëri të gjithëve për vete me zemrën, thjeshtësinë, talentin, origjinalitetin dhe karakterin e saj të bukur. Ajo na bëri të gjithëve ta duam jetën me gjerat e vogla dhe të bukura që ajo na dhuron. Danjela na mësoi te mos ankohemi se nuk kemi celularin e fundin, makinën luksoze, shtëpinë moderne, apo rrobat e shtrenjta.
Mbi të gjitha Danjela na kujtoi se në rradhë të parë duhet të jemi njerëz dhe të duam veten dhe njerzit që na rrethojnë, më pas vijnë të tjerat…