Duma: Do të vendos nënkryetar Bashkie vetëm për bujqësinë

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me fermerët e Hamallajt mbi mënyrën e manaxhimit të bujqësisë nga bashkia e re.
Duma dëgjoi fermerët mbi problematikat e tyre nga prodhimi e deri tek nxjerrja në treg e produkteve. Kandidatja e djathtë u shpreh se do harmonizojë bashkimin e komunave me qytetin duke i dhënë rëndësi agroturizmit.
“Agroturizmi do të bashkojë bujqësinë me turizmin, zonat rurale me qytetin. Bashkia e re do të ketë një nënkryetar përgjegjës për pjesën rurale dhe bujqësinë në Durrës”, tha Duma. Ajo shtoi se zhvillimi i qendrueshëm i Durrësit dhe hapja e vendeve të punës nuk mund të kuptohet pa bujqësinë. Bashkia do të ndihmojë fermerët në hapjen e fermave të përshtatshme për tregun e më pas do zbatohet një model të integrojë bujqësinë me ekonominë e qytetit duke inkurajuar serat, vreshtat e pemtarinë si dhe në ndërtimin e pikave të grumbullimit.
“Të hyjmë direkt në temë, duke ndarë bashkë një marrëveshje të rëndësishme. Do bëjmë gjërat e bëshme. Nga Grida Duma nuk do dëgjoni përralla. Bashkë me burrëri, pastërti dhe vërtetësi do fillojmë të themi hapat me radhë. Programi për bujqësinë do të jetë gjysma e programit për bashkinë”, u zotua Duma në bashkëbisedimin me fermerët. Kandidatja u takua edhe me banorë të tjerë të Ishmit, e më pas në fshtrat Shetaj dhe Flakë të Katundit të Ri.

Advertisement