Në podkastin e saj “At your service” në iHeartRadio, Dua Lipa ka qenë gjithmonë e sinqertë për jetën dhe karrierën e saj. Së fundmi, këngëtarja tregoi se sindroma imposter e ndihmon që të japë gjithmonë më të mirën nga vetja.
“Shumë herë frymëzohem kaq shumë nga artistët që dyshojnë te vetja ose janë në një fazë të errët. Mendoj: ‘Oh Zot, a duhet të ndjej kaq shumë dhimbje që të jem e mirë në atë që bëj?” – tha ajo.
“Kështu mendoj ndonjëherë; ndonjëherë sindroma imposter mund të nxjerrë më të mirën time. Sidomos kur shkruaj,” shtoi Dua.
Imposter syndrome, e njohur si mashtrim i perceptuar, përfshin dyshim për veten dhe aftësitë personale, pavarësisht arsimimit, përvojës, talentit dhe arritjeve.
Me fjalë të tjera, këta njerëz e kanë të vështirë të besojnë te vetja, nuk mendojnë se janë mjaftueshëm të mirë; dyshojnë te inteligjenca, arritjet apo talenti i tyre.
Nga njëra anë, kjo sindromë mund të ndihmojë për të dhënë gjithmonë maksimumin, për t’u vetëpërmirësuar dhe për të vendosur të tjera standarde gjithnjë e më të larta. Por nga ana tjetër, mund të ndikojë negativisht te mirëqenia emocionale dhe shëndeti mendor.