Dua Lipa dhe “Versace”/ Prezantohet në Kanë koleksioni “La Vacanza 2023”!

Dua Lipa ka qenë prej kohësh një muzë për “Versace”. Ajo hapi dhe mbylli sfilatën Pranverë 2022 në Milano dhe ishte imazhi i fushatës Dimër 2021. Shpesh ajo është fotografuar në krah të Donatella Versace dhe ka parakaluar me fustane “Versace” në tapetin e kuq. Dua dhe Donatella e kanë çuar bashkëpunimin e tyre një hap më tej.

Dua njoftoi në rrjete sociale se ka bashkë-dizenjuar një koleksion për Versace, “La Vacanza”, i cili u prezantua në Kanë. Këtij koleksioni i është gëzuar pa masë Donatella Versace, e cila ka një miqësi të ngushtë me Duan. Për Donatellen, Dua është supermodelja e “Versaces”, superdizajnerja e “Versaces”.

Advertisement

Koleksioni shënoi përvojën e parë të Duas si dizajnere mode. Donatella tha se koleksioni “La Vacanza” ka të bëjë me “lirinë, argëtimin dhe vetëbesimin”, përcjellë përmes detajeve dhe motiveve si flutura kristali, ngjyra të ndritshme, shkëlqim metalik.