Çmimi i naftës, PS: Impakti në Shqipëri përputhet me rajonin

Partia Socialiste, përmes deputetes Blerina Gjylameti reagoi ndaj deklaratave të opozitës lidhur me çmimin e naftës duke pohuar se impakti në vendin tonë është si në vendet e rajonit.

Deputetja socialiste Gjylameti iu përgjigj deklaratës së deputetit demokrat, Florion Mima, për të cilin tha se gjeti “kurajon të përgënjeshtronte kryetarin e tij, që vetëm pak ditë më parë u shpreh se çmimi i naftës në Europë ka rënë me 40% në tre muaj. “Sot deputeti i Partisë Demokratike gjeti më se fundi kurajon të përgënjeshtronte kryetarin e tij, i cili vetëm disa ditë më parë tha se çmimi i naftës në Europë ka rënë 40% në tre muaj. Sigurisht që PD ka ende probleme me shifrat, njësoj si në opozitë, por fakti që deputeti Mima flet për ulje në shkallen mesatare 6,5%, vlerë e përafërt me uljen e çmimit edhe në Shqipëri, tregon se Kryetari Basha gënjente kur thoshte se çmimi në Europë u ul me 40%. I kërkuam Partisë Demokratike të na tregonte një vend në Europë ku çmimi kishte rënë 40% në tre muaj. Pas shumë ditësh përpjekje, me shifra të gabuara arritën të na tregonin disa vende ku çmimi është ulur 6-8%, por sërish shumë larg uljes 40% për të cilën gënjente Basha. Sot çmimi i naftës është një debat global, por e rëndësishme për Shqipërinë është se impakti mbi vendin tonë përputhet me vendet e rajonit, jo siç gënjente Lulzim Basha.”, është shprehur Gjylameti.

Advertisement