Në emisionin e sotëm të mëngjesit “Chaud Patate” në Energy Radio, u diskutua një temë që e përfshihu shumë publikun.

U diskutua për humorin e vjetër dhe humorin e ditëve të sotme. Kush ju bën më shumë për të qeshur?

Advertisement

Pjesa më e madhe e publikut u pozicionuan nga humori i vjetër, duke rikujtuar dhe shumë batuta të asaj kohe. Por, nuk mungonin as ata që vlersonin humorin e sotëm, duke vlerësuar aktorët e rinj të cilët sjellin shfaqje të reja çdo javë.

Megjithatë, për këtë temë nuk mjaftonte vetëm opinioni i publikut. Për këtë arsye moderatorët e “Chaud Patate” realizuan një lidhje telefonike me aktorin e mirënjohur Sejfulla Myftari, i njohur ndryshe si Cekja i Beratit. I pyetur për temën, Cekja tha se ka nostalgji për humorin e vjetër, por nuk ka humor të vjetër apo të ri, ose humor të mirë ose të keq. Ai përmendi censurën në atë kohë, duke kujtuar dhe një fragmet të dhimbshëm nga jeta e tij.

“Në atë kohë një batutë të thoshe, do të mblidhej komiteti i partisë të të bëntë namin. Kam një histori shumë të dhimbshme kur kisha materialin e imitimit të tre tifozëve në stadium. Një shkodran, një vlonjat, një lushnjar dhe një tropojan mos gaboj. Dhe Lenka Çuko, sekretare e Parë e Komitetit Qëndror, ka bërë namin. Transmetimi ka qenë direkt me Koço Devolen në Pallat sporti dhe Vera Grabockën regjisore. Unë imitoj një tifoz lushnjar. Të nesërmen kur jepej ritransmetim, materiali im ishte hequr dhe kjo (Lenka Çuko) tani merr në telefon Sekretaren e Parë të Beratit. Urgjentisht tha: kush është ai aktor që është tallur me Lushnjen, ma merrni, ma thërrisni dhe studiojeni mirë biogragfinë e tij. Më merr sekretarja, po mirë më tha: shkodranin e bërë trim, vlonjatin po ashtu, po lushnjarin pse e bëre të trembur, të vogël ashtu? Po a e di ti kush është Lushnja? Lushnja thash unë. Mos u tall tha: se ti po tallesh me një popull të tërë. Lushnja është hambari i Shqipërisë.
Dhe për këtë më kanë dënuar 6 muaj në qendrën e llaçit. Unë nuk vajta se më ka mbrojtur Sekretari i Dytë, i cili tha: nëse televizioni e ka transmetuar, ç’faj ka aktori? Dhe më pas tha: ti do shkosh në llaç medemek për 6 muaj, por që realisht ti nuk do shkosh, por ti japim përgjigje asaj, dhe sdo dalësh 1 vit në televizion. Dhe nuk dola une.”,- u shpreh me batuta Cekja për “Chaud Patate”.

Ndërsa i pyetur nëse ka marrë ftesa nga spektaklet e humorit që transmetohen në ditët e sotme Cekja ju përgjigj kështu: Portokallinë ma kanë ofruar ndërsa te Al pazari kam qenë disa herë, por te portokallia më ka thënë në atë periudhë Agron Llakaj, regjisori dhe i ndjeri Tani. Thojini Cekes sa të dëshirojë të vijë të punojë, vetëm të vijë.
Unë i thash faleminderit, po unë nuk mund të vij për shumë arsye. E para, duhet të jësh në Tiranë çdo ditë. E dyta, nuk mund ta përballoj spektakël në çdo javë pasi është shumë e vështirë dhe dua të jem elektron i lire siç kam qenë gjithmonë. Gjithashtu është konsumim i njerzve kot.”