Chaud Patate/ Bledi Mane: Ky është gazetari që ka paguar njerëz për të më vrarë, çështjen ia kam kaluar prokurorisë

I ftuar sot në emisionin e mëngjesit “Chaud Patate” në radio ENERGY me Flori Gjinin, Suada Dacin dhe Rudi Dedën, ishte gazetari Bledi Mane.

Pas shumë diskutimesh rreth temave të ndryshme (që nga arsyeja pse shqiptarët nuk qeshin deri tek shkrimi i tij për Armina Mevlanin), moderatorja Suada Daci e pyet se cilin prej gazetarëve vlerëson më shumë në Shqipëri.

Advertisement

Mane iu përgjigj pyetjes me një deklaratë që në fakt ka përmendur edhe më parë.

“Pardje në darkë kam marrë në telefon [gazetar] Andi Bejtjën dhe iu prezantova kush jam sepse më ka mbetur qejfi. Andi Bejtja ka qenë në një tavolinë ku një kolegu i tij ishte bërë gati të vriste Bledi Manen (kjo është e vërtetë). Ta them kështu me zë… Çim Peka ka paguar njerëz për të më vrarë mua. Ne çështjen do ta çojmë në prokurori dhe mua më ka ngelur qejfi si Andi Bejtja kishte djeni dhe nuk mori guximin të më takonte mua, por njerëz të tjerë erdhën të më tregonin që “ki kujdes, merr masa…”, -rrëfeu gazetari duke marrë rastin e kolegut Elvi Fundo që u dhunua nga dy persona të paidentifikuar duke përfunduar në spital dhe vetë Mane, që nuk e njihte nga afër, e vizitoi atë pas ngjarjes së rëndë.

“Këtu komuniteti i gazetarëve është shumë i përçarë, sidomos ky brezi i gazetarëve, këta And-rat, Zhej-rat, shikon që koha e tyre po mbaron gradualisht, gazetaria virtuale i ka nxjerrë jashtë loje”, -u shpreh Mane.

Kurse lidhur me pyetjen se çfarë do të donte të shkruante pa pasur nevojë për vëmendjen e audiencës gazetari u përgjigj: “Mua më mundon e kaluara sepse kam qenë tre herë në burg dhe me ligjin e ri të dekriminalizimit, unë e shikoj të ardhmen time në politikë. Dua të jem një polemizues, për shembull në këtë parlament që është sot, qoftë majtas, qoftë djathtas është niveli katastrofë sepse shumë prej tyre ne i njohim. Do doja të isha një zë tallës. Megjithatë e ardhjma ime është një shkrimtar i lirë, do jetoj duke botuar libra një në dy vjet. Libri im i dytë do të jetë “Orgji e Çmendur në Tiranë”.

Siç e shpjegoi vetë ai, romani flet për një çift që vijnë nga Londra dhe hapin një agjensi eskort në Tiranë duke mbledhur gjithë “parenë” (njerëz me status, kriminelë, politikanë) dhe imitojnë filmin e Stanley Kubrick, “Eyes Wide Shut”. Ngjarjet zhvillohen në një apartament në Tiranë dhe aty përgojohet gjithë shoqëria dhe njihet Shqipëria nga politika dhe krimi.