Chaud Patate/Ami vs Almeda, ja kë zgjedh skenaristja Zefina Hasani

Të premten mbrëma ishte nata finale e Dancing With The Stars, spektakli i kërcimit, i cili rezervoi shumë surpriza.

Amos Zaharia, Soni Malaj, Landi Hysi, Viktor Zhusti, Aulona Mustaj dhe Kristi Popa ishin personazhet e mbetur në garë, të cilët performuan zhanre të ndryshme të kërcimit. Ndërsa në fund të garës mbetën gazetarja Aulona Musta dhe këngëtarja Soni Malaj.

Advertisement

Kupën e fitores e mori Soni, e cila shprehu mirënjohjen e saj: “Do doja shumë të falenderoja produksionin, Holta Dulakun, faleminderit shumë që më ke vënë një partner të mrekullueshëm, është falë Dionit që unë arrita në fitore”.

Ndër të tjera në një linjë telefonike ditën e sotme, moderatorët e emisionit të mëngjesit në Radio ENERGY, Flori Gjini, Suada Daci dhe Rudi Deda kontaktuan me skenaristen e programit, Zefina Hasani. Si fillim telefonata kishte për qëllim të qartësonte nëse personazhi i Mr.Bean ishte improvizuar nga vetë aktori Rowan Atkinson apo një sozi e tij. Zefina zbuloi se në fakt ishte një kopja e tij që e ka zëvendësuar aktorin disa herë, por ngjashmëria është kaq e madhe sa vështirë të dallohet.

Kurse për pyetjen e bërë nga moderatorët se me cilën është ndjerë skenaristja më komode për të punuar, Amin apo Almedën (e cila prezantoi për herë të parë edicionin e sivjetshëm), Zefina u përgjigj: “Kur unë fillova bashkëpunimin me Amin e gjeta në një lloj eksperience të sajën që kishte kohë që e bënte këtë gjë. Almeda e kishte për herë të parë dhe sigurisht që në këtë detaj duhet kuptuar komoditeti sa ka qenë më i madh me njërën apo tjetrën. Por më besoni që si Ami apo Almeda, më kanë bërë të ndihem shumë mirë me energjinë pozitive që kanë. Në një moment kur njeriu është shumë pozitiv, përcjell vetëm energji të mirë.”