Ditët e fundit po diskutohet shumë libri më i ri i gazetarit Alfred Lela…
Libri është titulluar “Ut Heri Dicebamus (Fjalori politik i Berishës ’90-92)” dhe është i njëjti titull me librin e botuar shumë vite më parë nga At Zef Pllumi, i cili përkthehet “Siҫ thoshim dje”. Ai kishte pasur disa alternativa për titullin, derisa kishte vendosur këtë për ta sjellë dhe si formë homazhi për At Zef Pllumin. Ishte pikërisht ky libër që intrigoi moderatorët e emisionit të mëngjesit “Chaud Patate” në Energy Radio, ta ftonin në studio Lelën.
Intervista e tij u shoqërua me shumë informacione dhe opinione mbi politikën e shkruar dhe aktuale, por nuk munguar as batutat duke ju përshtatur emisionit, të cilat gazetari dukej se i kishte në natyrën e tij.
I pyetur për opinionin e ish-kryeministrit për librin kushtuar atij, Lela tha se Berisha nuk ishte gjatë promovimit të librit, por ja ka dërguar nëpërmjet zëdhënëses së tij. Megjithatë, nuk ka marrë ende një “feedback” nga doktori.
“Nuk ishte Berisha në promovim. Unë ja kam dërguar librin dhe kam kontaktuar me të nëpërmjët zëdhënëses së tij, Erlës. Nuk e kam pyetur nëse i pëlqeu libri se është pak pyetje kështu… se nuk pyeten njerzit “Hë si ty duk libri?”. Nuk e di çfarë mendimi ka.”,- u shpreh Lela.
Gazetari tha gjithashtu se përpos Berishës, kishte dëshirë të shkruante libra dhe për personazhe të tjerë nga politika. Në ndër ta ishte politikani i ndjerë, Azem Hajdari, për të cilin dëshiron të shkruajë një libër biografik.
“Po të kisha kohë dhe mundësi do të doja të bëja libra për disa nga personazhet e së djathtës. Do doja shumë ta bëja dhe besoj do e bëj dhe një biografi të Azem Hajdarit. Ai është personazh interesant, me dritë-hijet e tij sigurisht, sepse nuk ka në politikë apo dhe jashtë politike personazhe të pastër.”,- tha Alfred Lela për Energy Radio.
Gjatë intervistës nuk mund të mungonte dhe dhënia e një opinioni për tre liderët më të rëndësishëm të momentit në politikën shqiptare, të cilët Lela i shikon kështu:
“Rama komunikator shumë i mirë. Ai komunikon më mirë se gjithë të tjerët aktualisht dhe është komunikatori më i mirë politik. Jam dakord me ty që ka futur këto teknikat, tonalitetet, estravagancat, gjetjet dhe transgresionet komunikative dhe e kanë bërë atë dominant në komunikim. Unë them që Rama komunikon shumë mirë, por qeveris aspak mirë. Rama do të ishte ministri më i mirë i përjetshëm i komunikimit dhe kulturës.
Meta njeh shumë mirë këtë antopologjinë, është mjeshtër. Antropologjia është kontakti një për një dhe ai e di që shqiptari e vlerson shumë ktë “begenisjen”. Z. Meta është begenisës shumë i madh. Nuk ka ndonjë karizmë të madhe, nuk njihet për ndonjë përmasë intelektuale, por ka këtë që ai e di mirë çfarë duan shqiptarët.
Bashës i shquaj këtë modernitetin. Duket si paradoksale, por ai është dhe shumë konservator, në kuptimin e… ai përfaqëson një forcë konservatore siç janë forcat e djathta, por është modern brenda kësaj dhe ka sjell në komunikimin politik disa gjëra të reja. Pra Basha për mua është politikani i parë pas komunist. Nuk ka shenja të komunikimit komunist tek ai. Komunikimin komunist e gjen dhe tek Rama, Berisha dhe Meta, tek ai jo. Ka të bëjë dhe mosha.”,- u shpreh Lela për “Chaud Patate”.