Çfarë bëri Taylor Swift që Donald Trump të pëlqejë muzikën e saj 25% më pak?

Taylor Swift mbështeti një ditë më parë demokratët në zgjedhjet e afërta të mesit të mandatit në SHBA, por kjo sigurisht nuk e ka kënaqur aspak presidentin Donald Trump.

Ky i fundit u tha gazetarëve se tani, muzika e Taylor i pëlqen 25% më pak.

Më herët, këngëtarja 28-vjeçare ka qëndruar larg deklarimeve politike, por ka thënë se zhvillimet e dy viteve të fundit e kanë bërë të ndryshojë mendje. Komentet e saj më të fundit u përgëzuan nga shumëkush, por edhe ndezën reagime të ashpra mes republikanëve.

Swift theu heshtjen e saj mbi politikën të dielën, duke mbështetur publikisht dy demokratë në Tennessee, vendin e saj të lindjes, dhe e bëri këtë në Instagram ku ka 112 milionë ndjekës.

Këngëtarja refuzoi të mbështeste kandidaten e Trump-it, Marsha Blackburn.

“Ashtu si në të kaluarën, do të doja të vazhdoja të votoja për gratë, por nuk mund ta mbështes Marcha Blackburn. Unë do të votoj për Phil Bredesen”, u shpreh Taylor, e cila vazhdoi më pas me të tjera deklarata. “Ajo [Marsha] votoi kundër pagës së barabartë për gratë. Votoi kundër aktit që i mbron gratë e dhunuara në familje. Ajo beson se bizneset kanë të drejtë të refuzojnë shërbimin e çifteve homoseksuale. Ajo beson se ata nuk duhet të kenë të drejtën për t’u martuar. Këto nuk janë vlera për në Tennessee.”

E pyetur mbi një deklaratë të tillë, Trump u shpreh se e pëlqen më pak muzikën e Taylor-it tani. “Ajo nuk di asgjë për një grua të mrekullueshme si Marsha.”

Në disa postime në Twitter në vitin 2012, presidenti amerikan e kishte cilësuar Swiftin si fantastike dhe e kishte falënderuar madje se kishte bërë një foto me të. Por, postimi i fundit në Twitter i këngëtares, dukshëm e ka mërzitur atë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.