Bundesliga do të jetë e para ndër vendet ligat kryesore në Europë që do të rifillojë. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, kancelarja gjermane Angela Merkel ka fiksuar 15 Majin si datën e rifillimit të futbollit në Gjermani. Pritet që lajmërimi do të bëhet më 6 Maj, pas daljes zyrtare të kancelares, që shtyu me 1 javë vendimet e rëndësishme sa i përket hapjes dhe liberalizimit të aktiviteteve të ndryshme pas izolimit nga pandemia Covid-19.
Bundesliga është ndjeshëm më e avancuar se kampionatet e tjera në Europë, sa i përket strategjisë së rifillimit të futbollit. Futbollistët kanë filluar përgatitjet në grupe të vogla. Në Gjermani kanë mbetur edhe 9 javë për t’u luajtur.
Sa i përket Serie A, brenda kësaj jave do të ketë një përgjigje përfundimtare se kur mund të rifillojë kampionati. Ky është premtimi që bën Ministri i Sportit, Vincenzo Spadafora, i cili ka bërë një hap pas në fjalët e tij, teksa një ditë më parë shprehej se nuk mund të flitej për ndeshje futbolli akoma. Nga ana tjetër Lega Calcio është gati që sivjet të anulojë edhe Kupën e Italisë, e cila ka parë të zhvillohen edhe gjysmëfinalet e vajtjes, Inter-Napoli 0-1 dhe Milan-Juventus1-1 dhe të mos e japë këtë trofe, duke parë ngjeshjen e kalendarit.
Nga Anglia vjen një tjetër propozim interesant. Sipas shefit ekzekutiv të Shoqatës së futbollistëve Profesionistë, Gordon Taylor, ndeshjet e Premier League mund të shkurtohen në minutazh. Kjo ide është hedhur edhe nga menaxherët e futbollistëve që ndeshjet të mos jenë këtë periudhë nga 45 minuta pjesa.
Ende nuk është përcaktuar se sa mund të jenë pjesët e lojës, por mendohet 35-40 minuta secila pjesë, duke shkurtuar 10-20 minuta në total. Për të evituar grumbullimin e tifozëve në ambiente të përbashkëta, është hedhur ideja e transmetimit të ndeshjeve live në YouTube.
Burimi: Tv Klan