Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave do të vënë në zbatim një planveprimi për të ulur përdorimin e Euros në ekonominë shqiptare.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, guvernatori Gent Sejko, si dhe drejtori ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koci, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton planin dhe masat që do të ndërmerren për të dekuruajuar përdorimin e Euros në ekonomi.

Advertisement

Top Channel ka mësuar se plani parashikon ndërhyrje ligjore, të cilat synojnë të ulin rreziqet për sistemin bankar nga “euroizimi”.

Një nga masat e diskutuara është ajo që detyron bankat të mbajnë një rezervë më të lartë për aktivet në Euro. Kjo bën që, në rast situatash emergjente, ato të kenë likuiditete të mjaftueshme në monedhën europiane.

Masa e dytë lidhet me ndërgjegjësimin e qytetarëve, për rreziqet që vijnë nga kreditë në Euro përmes një fushate të posaçme. Paralelisht në kontratat e kredive që japin në Euro, bankat do të jenë të detyruara të ilustrojnë me shembuj konkretë sesi rriten këstet që duhet të paguajë një qytetar, nëse Leku zhvlerësohet me një nivel të caktuar ndaj Euros.

Vitin e kaluar, pesha e kredisë në Euro u tkurr sërish, duke zbritur në 56.8 për qind të totalit, pasi thuajse e gjithë kredia e re është dhënë në monedhën vendase. Banka e Shqipërisë thotë se inkurajimi i kredisë në monedhën vendase do të ulë rreziqet financiare, si për individët e bankat, ashtu dhe për ekonominë.