Bruksel | Bregu në konferencën e PPE: bllokimi i opozitës do të zgjidhet më 23 qershor

Ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, gjatë konferencës së tretë të PPE mbi Ballkanin Perëndimor foli mbi situatën e bllokimit të rikthyer në shtator nga opozita pas refuzimit për të votuar 3 nismat ligjore. “Në pamundësi për të ndikuar mbi vendimet antikombëtare të opozitës, informova miqtë e PPE, të Parlamentit e Komisionit Europian, se mazhoranca sheh vetëm një zgjidhje për këtë situatë, zgjedhjet e 23 qershorit, për të cilat jemi të angazhuar të garantojmë standardet më të larta ndërkombëtare”, thekson Bregu, duke shtuar se “Rama dhe bojkoti i opozitës u përmendën pothuajse nga të gjithë folësit”. “Parlamentarët Europianë dhe Komisioneri Fule përsëritën qartë mesazhin e tyre: “votoni 3 ligjet për t’i hapur rrugë statusit”. Komisioneri Fule theksoi gjithashtu “se në të gjitha fushat Shqipëria ka dhënë rezultate e se do të ishte shumë keq që 3 çështjet e mbetura të mos plotësohen”. Zyrtarët europianë konfirmuan për të gjithë ata që kanë ende dyshime se kusht për statusin janë 3 ligjet, jo zgjedhjet”, shkruan Bregu në një mesazh në rrjetin social “Facebook”. Sipas ministres së Integrimit Europian, Kreu i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Riccardo Migliori, u shpreh se “zgjedhjet e vitit 2009 në Shqipëri ishin më të mira se ato presidenciale në SHBA dhe se duke mos i pranuar ato Rama rrezikon të krijojë një shembull të keq për të gjithë rajonin”. “Ky është rast i paprecedentë kur opozita bllokon integrimin e vendit siç po bën opozita në Shqipëri. Kjo politikë bllokuese do të marrë përgjigjen e merituar në zgjedhjet e 23 qershorit!”, përfundon ministrja Bregu.

Advertisement