Elbasan | Italia do të vazhdojë financimin e SME-ve në Shqipëri

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto, së bashku me Ambasadorin e Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani zhvilluan sot një vizitë në dy ndërmarrje në Elbasan dhe Gramsh. Haxhinasto dhe Gaiani vizituan kompaninë “DIEL” sh.p.k (Elbasan), që operon në sektorin e shërbimeve të ndërtimit dhe “AL-Mex Wood” sh.p.k (Gramsh), kompani që operon në sektorin e përpunimit të drurit. Ministri Haxhinasto vlerësoi kompani të tilla që në sajë të mbështetjes financiare të qeverisë italiane nëpërmjet zyrës së saj të Bashkëpunimit me Shqipërinë, po mbështet biznesin vendas, vecanërisht sektorin e SME-ve. “Programi për Zhvillimin e SME-ve në Shqipëri ka dhënë deri më sot mbi 17 milionë euro kredi të buta dhe do të vazhdojë ta japë këtë lloj ndihme në të ardhmen, krahas asistencës teknike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”- u shpreh z. Haxhinasto. Ministri i konsideroi programet e bashkëpunimit me Italinë si të suksesshme edhe përsa i përket rritjes së punësimit në Shqipëri, ndërsa SME-të i quajti kontributorët kryesor të ekonomisë, me rreth 85 % të GDP në shkallë vendi. Gjatë vizitës në këto kompani z. Haxhinasto theksoi se është e domosdoshme mbyllja e ciklit të prodhimit në vend dhe rritja e cilësisë së produkteve. Ai tha ndër të tjera se investitorët italianë kanë shprehur interes të vazhdueshëm ndaj qytetit të Elbasanit. Gjatë vizitës në kompaninë “AL-Mex Wood” sh.p.k, ministri Haxhinasto u shpreh se nëpërmjet këtij financimi në kuadër të Programit Italian për Zhvillimin e SME-ve në Shqipëri, ka mundësuar krijimin e një infrastrukture bashkëkohore dhe ka zgjeruar kapacitetin e saj prodhues duke punësuar rreth 180 punëtorë. Z. Haxhinasto shprehu mbështetjen e tij të plotë dhe të ministrisë që ai drejton, për nismën e Programit të Bashkëpunimit Italian që ndihmon SME-të, që ajo të ecë në mënyrë sa më të suksesshme. Në fund të vizitave ministri Haxhinasto dhe ambasadori Gaiani u shprehën se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve po vazhdon të thellohet më tej edhe në projekte të mëdha të rëndësisë strategjike si TAP-it dhe linjat e interkonjeksonit mes dy vendeve.

Advertisement