Britney Spears ka zgjidhur çështjen e kujdestarisë me babain e saj, Jamie Spears.
“Ka qenë nderi dhe privilegji ynë të përfaqësojmë dhe, mbrojmë Britney Spears. Zonja Spears është dhe do të jetë gjithmonë një ikonë dhe një artiste brilante dhe e guximshme”, tha avokati i saj, Matthew Rosengart, në një deklaratë ekskluzive të dhënë për Page Six të premten, më 26 prill.
Ai vazhdoi: “Edhe pse kujdestaria përfundoi në nëntor 2021, dëshira e saj për liri tani është vërtet e plotë. Ajo nuk do të duhet të marrë pjesë ose të përfshihet në çështje gjyqësore ose të përfshihet në procedurat ligjore për atë çështje”.
Marrëveshja ligjore kufizuese e krijuar në vitin 2008 nga tani 71-vjeçari Jamie Spears për të kontrolluar çështjet financiare, profesionale, personale dhe mjekësore të yllit të popit u përfundua në nëntor 2021 falë përkrahjes nga vetë këngëtarja, Rosengart dhe mbështetjes globale nga fansat e saj, të cilët nisën lëvizjen #FreeBritney.