Nëse i keni përdorur deri më tani qeset plastike, që prej datës 1 korrik është ndaluar rreptësisht përdorimi i tyre.
Kështu, në rast se do t’i përdorni do të merren masa ndëshkuese dhe do të penalizohen përdoruesit dhe prodhuesit e tyre.
Vendimi i miratuar dy muaj më parë parashikon gjoba me vlerë 10 deri në 15 milion lekësh për bizneset që i përdorin pas afatit të lejuar.
Sipas vendimit, i cili ka hyrë dje në fuqi parashikohet që të hidhen në treg vetëm qeset e riciklueshme.
Këto qese do të jenë nën kontrollin e ministrisë dhe ato do të jenë në treg në vendet ku tregtohen mallra kundrejt një pagese të posaçme.
Sakaq, për kontrollin periodik, Këshilli i Ministrave ngarkon me përgjegjësi Agjencinë Kombëtare e Mjedisit, së bashku me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit.
Drejtoresha e Mjedisit, Klodi Marika, tha për mediat se në këtë fazë nuk është synimi te penalizimet, sesa te ndërgjegjësimi. “Nuk është se do të dalim si një task-forcë, që të marrim direkt masat apo të vendosim gjoba. Megjithatë, masat duhet të jenë shtrënguese për vetë faktin që natyra ka filluar të reagojë keq ndaj gjithë këtij mbiprodhimi të qeseve kundrejt mjedisit”.
Qeset plastike janë bërë armiku numër një i mjedisit në mbarë botën. Iniciativa që ka ndërmarrë Shqipëria është në koherencë me nismat globale për të ndaluar përdorimin e produkteve plastike. Sipas të dhënave, në vendin tonë përdoren mbi 1 milionë qese në ditë.