Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sulmoi ashpër ata që i quajti “zyrtarët e huaj të korruptuar në Tiranë”. Sipas Bashës, këta zyrtarë “nuk kanë raportuar drogën dhe kriminelët në raportet e tyre”.

“Zyrtarët e huaj të korruptuar në Tiranë nuk kanë raportuar drogën dhe kriminelët. Nuk dalin dot nga rrethi vicioz ku e kanë futur veten e tyre sepse kanë mohuar krimin dhe janë bërë njësh me Edi Ramën për xhepat e tyre”, tha Basha.

Kreu i PD-së shtoi se “kupola me në krye Edi Ramën shkeli dhe dhunoi Kushtetutën. Projekti i kupolës nuk ishte as demokracia, as drejtësia, as ekonomia, as shëndetësia dhe as arsimi. Projekti i vetëm i republikës së vjetër ka qenë dhe mbetet pasurimi dhe pushteti i një grushti pushtetarësh me në krye Edi Ramën. Në funksion të këtij projekti u sollën kriminelët nëpër institucione”.

Advertisement

“Një grusht kriminelësh e kthyen Shqipërinë në Kolumbinë e Europës. Kjo është vepra e rilindjes së krimit. Në planin e Edi Ramës, prishja e zgjedhjeve të ardhshme ka rëndësi jetike. Ndaj, gjithçka është bërë në funksion të kapjes së zgjedhjeve, duke diktuar një Parlament fasadë, mundësisht me ne si opozitë fasadë. Nëse ne nuk pranojmë fasadën, një Parlament monist”, deklaroi Basha.