Partia Demokratike  dhe opozita protestoi të shtunën kundër keqqeverisjes dhe në mbështetje të kauzës së  zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Anëtarë të PD-së, simpatizantë dhe qytetarë të ardhur nga qytete të tjera të vendit, u mblodhën para selisë së PD-së, dhe më pas iu drejtuan bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur para selisë së Kryeministrisë, me percjelljen e mesazheve te protestës.

Advertisement

Në fjalën e tij para protestuesve kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se “sot do të marrim vendimin e madh historik për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ju keni ardhur sot këtu sepse kjo qeveri e ka çuar vendin në varfëri dhe mjerim, si dhe ju ka vjedhur gjithçka nga xhepat tuaj dhe do t’iu vjedh edhe zgjedhjet. Ju të gjithë e dini mirë këtë”, iu drejtua ai protestuesve.

Sot, vijoi ai, ne nisim rrugëtimin e një drejtimi të ri, për të cilën ka nevojë kaq shumë vendi ynë, për të cilën ka nevojë kaq shumë çdo shqiptarë.

“Jemi sot këtu për ta shpallur këtë vendim me zë të lartë, po duam zgjedhje të lir
a dhe të ndershme. Duam ndarjen e politikës nga krimi. Duam dinjitet, duam drejtësi, punë duam, duam ta vëmë interesin e njerëzve të thjeshtë të parin, duam një të ardhme dinjitoze. Duam shpresën që po lind nga bashkimi më i madh i shqiptarëve”, nënvizoi Basha.

Kreu i PD-së u shpreh se “sot jemi bashkuar sepse nuk e pranojmë dot më këtë gjendje. Jemi bashkuar në këtë shesh sepse mund të ndërtojmë një jetë dinjitoze”.

“Jemi mbledhur sot për të ndaluar maskaradën e zgjedhjeve ose do të bëjmë zgjedhje të lira ose zgjedhje nuk do të ketë”, nënvizoi Basha duke shtuar se rrugë të mesme nuk ka.

Kreu i PD-së, ftoi qytetarët që bashkarisht të nisin lëvizjen e madhe kombëtare dhe demokratike për të cilën Shqipëria ka nevojë.

Basha theksoi se “unë do qëndroj këtu në shesh ju ftoj të gjithëve të qëndrojmë së bashku për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo realizohet me qeveri teknike”.

“Le të nisim sot lëvizjen e madhe kombëtare dhe demokratike për të cilën Shqipëria ka nëvojë. Sot të qëndrojmë këtu bashkë me ju për t’u premtuar se do të përmbushim aspiratën tonë. Sot është dita kur nisim marrshimin drejt këtij qëllimi”, tha Basha.

Pas thirrjes së kryetarit të PD-së Lulzim Basha në fund të fjalës së tij se unë do qëndroj këtu në shesh dhe ju ftoj të gjithëve të qëndrojmë së bashku, stafi teknik i PD-së nisi punën për vendosjen e çadrave për të vijuar protestën pa afat, ndonëse leja e lëshuar nga Policia e Shtetit është nga ora 12.00-deri në 16.00.

– Mbështetës të PD-së kërkojnë largimin e qeverisë-

Nga foltorja, aktori Besmir Halili, ishte i pari që iu drejtua protestuesve të ardhur nga të gjitha anët e vendit. Jemi këtu, tha ai, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe arrogancën që kryeministri ka mbjellë me mafien e tij. Jemi këtu për t’i thënë ‘ndal’ ‘së keqes që fshihet pas këtij muri. Jam këtu për të thënë që ne nuk jemi vetëm. Nuk e meritojmë këtë turp dhe ky kryeministër nuk i meriton qytetarët” u shpreh Halili.

Brunilda Mikaili, nene e dy femijeve, u shpreh e pakenaqur nga qeverisja aktuale. Jam viktima e pare e Rilindjes, tha ajo, e cila tre muaj pas ardhjes ne pushtet i mbylli aktivitetin e rrobaqepesise.

Protestues dhe anëtarë të Partisë Demokratike nga e gjithë Shqipëria u nisen drejt Tiranës që herët në mëngjes. Qytetare, nga Gjirokastra, Berati, Fieri, Kukësi, Korça dhe Elbasani, i janë përgjigjur thirrjes së kreut të Partisë Demokratike mijëra qytetarë, të cilët janë nisur drejt kryeqytetit me dhjetëra furgona e autobusa.